MaqedoniTop Lajme

Limani i përgjigjet Kasamit: Durimi im nuk është dobësi, por forcë

Shpërndaje

Ministri Fatmir Limani ka reaguar në mënyrë të tërthortë, por me tone të qarta politike, ndaj deklaratës së kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, i cili paralajmëroi se në muajt maj ose qershor mund të ndodhë një rikonstruim qeveritar ku do të përfshihej edhe Limani.

Reagimi i plotë:
URTËSI
Maturia, durimi dhe urtësia janë tri virtyte që nuk bëjnë zhurmë, por ndërtojnë rrugë të sigurta. Ato nuk kërkojnë duartrokitje, sepse vlera e tyre shihet me kohë. Janë pikërisht këto virtyte që hapin dyer që dikur duken të mbyllura përgjithmonë dhe krijojnë shtigje aty ku të tjerët shohin vetëm pengesa.
Në jetë ka gjithmonë nga ata që presin rrëzimin tënd, që ushqehen me shpresën se lodhja, pengesat apo padrejtësitë do të të thyejnë. Por historia njerëzore dhe përvoja e jetës kanë dëshmuar se rrëzimi nuk vjen nga sprovat, por nga humbja e urtësisë. Ai që di të durojë dhe të ruajë maturinë edhe në kohë të vështira, në të vërtetë është më afër fitores sesa ai që kërkon triumfin e shpejtë.
Kushdo që pretendon të zgjidhë gjërat përmes forcës së thuprës, duhet të jetë i vetëdijshëm për një të vërtetë të thjeshtë:
– “.., shkopi gjithmonë ka dy anë”.
Sot mund të duket se godet njërën palë, por nesër mund të kthehet në dorë dhe anë tjetër. Prandaj urtësia është gjithmonë më e fortë se nxitimi, dhe durimi më i qëndrueshëm se zemërimi.
Durimtari mund të kalojë nëpër sprova, mund të bartë peshë të padrejtë dhe të presë gjatë për drejtësinë e tij. Por një gjë mbetet e sigurt: ai që qëndron i palëkundur në urtësi dhe durim, në fund gjithnjë ngadhënjen. Sepse koha është aleati më i madh i atyre që nuk e humbin qetësinë dhe nuk e tradhtojnë parimin.
Ndaj, për ata që presin rënien time, kam vetëm një përgjigje të qetë: durimi im nuk është dobësi, por forcë. Heshtja ime nuk është dorëzim, por urtësi.
Durimtari gjithnjë ngadhnjen, pavarësisht kohëzgjatjes së vuajtjes.
F. B. L.