Limani pas fotografisë me Ahmetin: NË SOFREN IFTARIT TË GJITHË “JEMI NJË”
Fatmir Limani ka reaguar publikisht pas deklaratës së kryetarit të Tetovës dhe njërit prej drejtuesve të VLEN-it, Bilall Kasami, i cili mes tjerash tha se do të shqyrtojë shkarkimin e Limanit pasi ishte në një tryezë iftari ku ishte edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Reagimi i plotë:
NË SOFREN IFTARIT TË GJITHË “JEMI NJË”
Nëse dikush kërkon shpjegim pse Fatmir Limani është në një tryezë ku shfaqet edhe Ali Ahmeti, përgjigjja është më e thjeshtë sesa përpjekja për ta shndërruar atë në një “dilemë politike”.
I ftuar në iftar si ministër që përfaqëson vendin në një sofër ku shtrohej iftari, i cili përbashkon shpirtërat që vetësakrifikohen në një kohë me qëllime të qarta. Në kulturën tonë, nikoqiri është ai që përcakton rendin e sofrës dhe vendet e mysafirëve.
Në një tryezë mikpritjeje nuk shkohet për të bërë kalkulime politike dhe për të prishur sofrën, por për të respektuar traditën, mikpritjen dhe momentin e përbashkët njerëzor. Sofra nuk është vend për ndarje, por për respekt.
Së dyti, fotografia apo prania në një ambient të përbashkët nuk e rishkruan historinë e qëndrimeve politike të askujt. Qëndrimet e mia kanë qenë gjithmonë publike dhe të qarta. Por kultura politike dhe pjekuria shoqërore avancon dhe kërkon që edhe kundërshtarët të jenë në gjendje të përshëndeten, të bisedojnë dhe të ruajnë një minimum normaliteti në raportet njerëzore.
Së treti, ndërkohë që disa përpiqen të krijojnë dilema artificiale nga një fotografi iftari, unë jam përballë një realiteti tjetër: një përpjekje të hapur dhe përjashtuese ndaj meje, pikërisht nga ata me të cilët ndërtuam bashkë një projekt politik. Nuk është sekret që brenda VLEN-it, zhvillohet një luftë me bërryla për të zëvendësuar me figura anonime, protagonistët kryesorë që realizuan projektin e bashkimit. Në rrethana të tilla, askush nuk mund të presë që unë të qëndroj duarkryq. Sepse unë jam njeri i tavolinave jo i bodrumeve.
Duhet thënë edhe një gjë thelbësore:
– sofrat që bashkojnë nuk duhet të shqetësojnë askënd, përveç atyre që nuk i’a duan të mirën kombit.
Tradita e iftarit gjithmonë ka luajtur rolin e urës që afron njerëzit, pavarësisht bindjeve apo përkatësive të tyre.
Në një kohë kur shoqëria ka nevojë për më shumë ura lidhëse dhe më pak mure ndarëse, çdo përpjekje për ta problematizuar një moment të tillë flet më shumë për frikën e disa njerëzve nga dialogu sesa për realitetin politik.
Politika është garë idesh dhe vizionesh, por kultura jonë mbetet më e madhe se çdo rivalitet i përkohshëm. Dhe pikërisht këtë simbolizon një sofër iftari: respektin për tjetrin dhe mundësinë që, edhe në dallime, të ruajmë dinjitetin e përbashkët. Ata që me mendojne ndryshe nisen nga veperime qe i bejne secilën ditë.
F. B. L.


