Lufta me Iranin, Trump paralajmëron amerikanët: Do i shkojmë deri në fund, presim viktima të tjera
Donald Trump duket këtë radhë i bindur t’i shkojë deri në fund konfliktit me Iranin.
Mes njoftimeve se Irani po refuzon negociatat me SHBA-në, ai paralajmëroi një hakmarrje të fuqishme. Presidenti amerikan e bëri të qartë se lufta kundër Republikës Islamike nuk do të ndalet derisa Shtetet e Bashkuara të arrijnë çdo objektiv strategjik. Në një video-mesazh të publikuar në platformën e tij Truth Social, ai deklaroi se operacionet ushtarake po zhvillohen “me forcë të plotë” dhe do të vazhdojnë pa kompromis. Por kjo, do të kërkojë edhe sakrifica.
“Ne nuk mund të lejojmë që një regjim që krijon ushtri terroriste të zotërojë raketa me rreze të gjatë apo armë bërthamore. Irani është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e çdo amerikani”, shprehet Trump.
Duke iu referuar tre ushtarëve amerikanë të vrarë në kundërsulmet iraniane, Trump premtoi hakmarrje. Ai i quajti ata “patriotë të vërtetë” që bënë “sakrificën më të lartë për vendin”. Por deklarata e tij përmbante edhe një paralajmërim të fortë: viktimat mund të mos ndalen këtu.
“Fatkeqësisht, ka shumë të ngjarë që të ketë edhe më shumë të vrarë para se gjithçka të përfundojë. Kështu janë gjërat. Me gjasë do të ketë edhe më shumë”, shton presidenti i SHBA.
Trump i drejtoi një apel të hapur Gardës Revolucionare iraniane të dorëzojë armët, ndërsa u drejtua edhe “patriotëve iranianë”, duke i nxitur të shfrytëzojnë momentin për të “rimarrë vendin në duart e tyre”. Ai premtoi mbështetje amerikane nëse do të ketë një lëvizje të tillë. Ndërkohë, presidenti amerikan la të hapur derën për negociata.
Në një intervistë për revistën The Atlantic, ai tha se është i gatshëm të bisedojë me iranianët, duke shtuar se “ata duan të flasin”, edhe pse sërish e akuzoi Teheranin për vonesa dhe hezitime të gjata.

