Mbledhja për bashkimin e VLEN-it, janë tejkaluar dallimet? Paralajmërohet kongres në maj
Pas mesazhit nga Prekazi se VLENI është një, mbrëmë për herë të parë liderët e VLEN-it u ulën në tavolinë për t’i harmonizuar qëndrimet rreth mënyrës së funksionimit në një subjekt të vetëm politik dhe përpilimin e organeve të tjera. Edhe pse takimi ishte i mbyllur për mediat, nuk u dha asnjë detaj për publikun as pas përfundimit të takimit. Takimin e mbrëmshëm nuk e komentoi as Bilall Kasami.
-Sot është dita e ekologjisë, tha Bilall Kasami nga VLEN.
Megjithatë, burime brenda VLEN-it për TV21 thonë se takimi i mbrëmshëm ka qenë ndër takimet më konstruktive deri më tani, ku palët njëzëri kanë tejkaluar të gjitha mosmarrëveshjet sa i përket modelit të funksionimit me dy bashkëkryetarë dhe hapave të tjerë.
Këto burime bëjnë të ditur se kongresi i parë i partisë do të mbahet në muajin maj, duke mos dhënë ndonjë datë konkrete, megjithatë njoftuan se deri në mbajtjen e kongresit do të nisin përgatitjet rreth organizimeve të brendshme, strukturimit të degëve, nëndegëve dhe çështjeve të tjera. Për formimin e degëve dhe strukturave të partisë do të formohen ekipe të posaçme, të cilat do të ndjekin procesin rreth organizimit të brendshëm.
Sa i përket emrave që do të mbartin postet e nënkryetarëve, sekretarit të përgjithshëm dhe anëtarëve të organeve drejtuese, këto burime njoftuan se do të bëhen publike pas përmbylljes së procesit të organizimit. Takime të tilla si mbrëmë pritet të jenë intensive dhe të ketë thuajse çdo javë.

