Nafta në Kosovë shkon në 1.55 euro për litër, Autoriteti Konkurrencës nis hetimin
htrenjtimi i çmimit të naftës ka vazhduar edhe të hënën në Kosovë. Tashmë çmimet për litër naftë kanë arritur në 1.52 deri në 1.55 euro, varësisht nga kompanitë që tregojnë me naftë. Çmimet e derivateve në Kosovë po vazhdojnë të ngrihen edhe më tej. Për 10 ditë, çmimet e derivateve në Kosovë janë ngritur për rreth 30 cent.
Nga 1,18 sa ishte një litër naftë para se të niste lufta në Iran, e njëjta të dielën e 8 marsit ka shkuar në 1 euro e 55 cent.
Naftëtarët kanë paralajmëruar se çmimet mund të ngrihen edhe më shumë për shkak që sipas tyre janë ngritur edhe në bursën ndërkombëtare.
Fadil Berjani thotë se Kosova varet nga importuesit e naftës, të cilët çmimin e përcaktojnë brenda ditës sipas berëzës.
“Situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme po ndikon drejtpërdrejt tregjet e naftës. Rritja e tensioneve dhe rreziku për ndërprerje në prodhim apo transport po shtojnë pasigurinë në furnizimin global, duke shtyrë çmimet e naftës më lart. Vëmendja është veçanërisht te Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë. Çdo problem në atë korridor reflektohet menjëherë në tregje dhe zakonisht përkthehet në kosto më të larta të karburantit për konsumatorët”.
Pas këtyre lëvizjeve, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e të gjitha ndërmarrjeve që tregtojnë karburante, për të parandaluar marrëveshjet e ndaluara, abuzimin me pozitën dominuese dhe praktikat e bashkërenduara që synojnë rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut ose kufizimin e konkurrencës.
AKK thekson se çdo shkelje e këtyre parimeve është subjekt i sanksioneve ligjore. Procesi i monitorimit po zhvillohet në koordinim të ngushtë me MINT, Administratën Tatimore (ATK), Doganën dhe mekanizmat e tjerë përgjegjës për zbatimin e ligjit.
“Rikujtojmë se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”.
Autoriteti i bën thirrje bizneseve që të veprojnë në përputhje me konkurrencën e lirë dhe të ndershme, të shmangin bashkërendimet e çmimeve dhe të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve, veçanërisht gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike dhe gjeopolitike.
Edhe nga Ministria e Industrisë kanë treguar se janë duke monitoruar tregun e derivateve.
“Sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës së Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit do të mbetet i përkushtuar në monitorimin vazhdueshëm të tregut me qëllim që të mbrojë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, luftimin e informalitetit, eliminimin e praktikave të padrejta tregtare si dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe në rastet kur konstatohet se nuk respektohen kërkesat ligjore inspektorët e tregut do të marrin veprime lidhur me ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë dhe masa të tjera ndëshkuese sipas legjislacionit aktual në fuqi”.
Për dallim nga Kosova, çmimet në Maqedoninë e veriut vazhdojnë të jenë pothuajse të njëjta. Atje një litër e naftës po sillet rreth 1 euro e 16 centë.
Shqipëria edhe më tej vazhdon të mbetet një nga shtetet me çmimin e derivateve më të lartin në rajon. Atje një litër e naftës po sillet rreth 1 euro e 90 centë, ndërsa në Serbi rreth 1.80.
Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të Iranit ndaj vendeve tjera në Lindjen e Mesme, si përgjigje ndaj sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli./Monitor.al

