BotaTop Lajme

Nis gjyqi ndaj Nicolás Maduro në Nju Jork, ekspertët: Të vështira për t’u provuar akuzat për “narko-terrorizëm”

Shpërndaje

Paraqitja e tij në gjykatën federale shënon fillimin e një procedure të ndërlikuar ligjore, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se disa nga elementët kyç të akuzës mund të jenë të vështirë për t’u provuar.

Në qendër të debatit është përdorimi i termit “narko-terrorizëm”, i cili sipas analistëve nuk ka një përkufizim të pranuar gjerësisht në të drejtën ndërkombëtare.

Sipas Christopher Sabatini, studiues në “Chatham House”, akuzat për narko-terrorizëm nuk përputhen plotësisht me përkufizimet klasike të terrorizmit, të cilat zakonisht kërkojnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj civilëve. Ai thekson se trafiku i kokainës mund të konsiderohet një aktivitet i paligjshëm tregtar, por jo domosdoshmërisht një kërcënim i menjëhershëm për jetën e qytetarëve.

Një tjetër pikë e diskutueshme është pretendimi se Maduro ka koordinuar të ashtuquajturin “Cartel of the Suns”. Edhe pse ekzistojnë indicie që lidhin struktura të shtetit venezuelian me rrjete të trafikut të drogës, disa analistë argumentojnë se kjo nuk përbën domosdoshmërisht një kartel të organizuar në kuptimin tradicional.

Procesi shoqërohet edhe me çështje procedurale. Seanca aktuale pritet të fokusohet pjesërisht në pretendimet e ekipit mbrojtës të Maduro se sanksionet amerikane i kanë kufizuar mundësinë për të paguar avokatë privatë – një çështje që, sipas tyre, prek të drejtën për një gjykim të drejtë.

Megjithatë, ekspertët ligjorë vlerësojnë se kjo çështje vështirë se do të çojë në rrëzimin e padisë, pasi Maduro mund të përfaqësohet edhe nga një avokat i caktuar nga gjykata.

I akuzuar nga SHBA për përfshirje në trafik droge dhe mbështetje të organizatave kriminale, Maduro i ka mohuar të gjitha akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm. Procesi ndaj tij pritet të zgjasë dhe të ketë ndikim të gjerë politik dhe diplomatik.