MaqedoniTop Lajme

Përfaqësues nga Universiteti i Arizonës dhe të Organizatës Botërore për Migrim e vizituan Universitetin e Tetovës

Shpërndaje

Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, e priti sot në një takim profesoreshën Dragica Vasileska nga Shkolla e Inxhinierisë Elektrike, Kompjuterike dhe Energjetike në Universitetin e Arizonës dhe koordinatoren e programit në Organizatën Botërore për Migrim (OBM), Erda Qazim Beqiri. Po ashtu e pranishme ishte edhe Prof. Dr. Drita Mamuti Fazlija nga Fakulteti Juridik i UT-së, bashkëpunëtore në projektet e përbashkëta me OBM-në.

Diskutimi u përqendrua në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar së fundi në mes Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Arizonës. Profesoresha Dragica Vasileska konfirmoi gatishmërinë e institucionit që ajo përfaqëson për të mirëpritur studentët tanë. Ajo theksoi se studentët e Universitetit të Tetovës i kanë dyert e hapura për të realizuar programe shkëmbimi, duke u bërë pjesë e një ambienti akademik global dhe kërkimor në SHBA.

Ndërkaq, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli vlerësoi se ky partneritet është një mundësi e jashtëzakonshme për rritjen profesionale të të rinjve. Ai vuri në dukje se përvoja ndërkombëtare është jetike në botën e sotme dhe se Universiteti i Tetovës po punon maksimalisht për t’i hapur këto rrugë. Po ashtu, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli foli edhe për sfidat me të cilat ballafaqohet arsimi i lartë, por edhe mundësitë që ofron Universiteti ynë për studentët që duan të profilizohen në fusha specifike.

Ndërsa, Prof. Dr. Drita Mamuti Fazlija theksoi se Universiteti i Tetovës ndjekë modelin e shkollimit të Universitetit të Arizonës, duke përfituar nga përvoja dhe standardet e këtij institucioni prestigjioz në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor. Koordinatorja e programit në Organizatën Botërore për Migrim (OBM), Erda Qazim Beqiri, ndau përvojat e saj nga projektet dhe iniciativat që kjo organizatë realizon në bashkëpunim me institucione të ndryshme.