Gërvalla: Reformë për drejtësi me integritet dhe kompetencë, drejt standardeve të matshme e llogaridhënies së plotë
Donika Gervalla, Ministre e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, ka theksuar rëndësinë e reformave të thella në sistemin e drejtësisë, duke e konsideruar këtë proces si një ndër shtyllat kryesore për ndërtimin e një shteti të së drejtës funksional dhe të besueshëm. Në kuadër të përkushtimit institucional për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit, ajo ka udhëhequr diskutimet dhe iniciativat që synojnë transformimin rrënjësor të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në vend.
Postimi nga Gërvalla:
Reformë për drejtësi me integritet dhe kompetencë, drejt standardeve të matshme e llogaridhënies së plotë.
Sot përmbyllëm diskutimet treditore që çojnë drejt finalizimit të njërit prej proceseve më të rëndësishme reformuese në drejtësi. Së bashku me përfaqësues të sistemit gjyqësor e prokurorial, institucioneve të tjera të fushës, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, diskutuam dhe avancuam pakon e projektligjeve që burojnë nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit.
Kjo nismë, e filluar në vitin 2023, ka rezultuar me përgatitjen e gjashtë projektligjeve që kanë të bëjnë me kontrollin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësimin e performancës së tyre, sistemin disiplinor dhe kontrollin e pasurisë, si dhe me Akademinë e Drejtësisë dhe nëpunësit civilë të administratës së gjykatave dhe prokurorive.
Finalizimi i kësaj etape të reformës do të ndikojë në mënyrë thelbësore në forcimin e palëkundur të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, që ka në epiqendër qasjen në drejtësi për qytetarin dhe integritetin e profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të praktikave negative të pandëshkueshmërisë.
Rrjedhimisht, përmes këtyre akteve, për herë të parë adresohet çështja e shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për mungesë pune dhe profesionalizmi, kategorizohen dhe saktësohen shkeljet disiplinore dhe, po ashtu, për herë të parë rregullohet me ligj vlerësimi i performancës së tyre.
Gjashtë projektligjet që rrjedhin nga ky zotim i përbashkët janë njëkohësisht pjesë e agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së dhe përbëjnë zotime të përbashkëta me akterët e drejtësisë, të cilat shumë shpejt do të procedohen për miratim në Qeveri dhe Kuvend.
Si Ministre e Drejtësisë, jam plotësisht e përkushtuar për finalizimin dhe jetësimin e kësaj reforme, për të garantuar një sistem me standarde të reja profesionale, në shërbim të çdo qytetari.

