Shtrenjtimi i naftës – Orbani i kërkon BE-së t’i heqë sanksionet ndaj energjisë ruse
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i njohur për marrëdhëniet e tij miqësore me Rusinë, po i kërkon Bashkimit Evropian që të heqë të gjitha sanksionet ndaj karburanteve fosile ruse, për të zbutur rritjen e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme.
Orban, i konsideruar si partneri më i afërt i Kremlinit brenda BE-së, ka thënë në një video të publikuar në rrjetet sociale të hënën se i kishte dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pasi “çmimet e naftës filluan të rriten në mënyrë shpërthyese”.
Lufta me Iranin, tashmë në javën e saj të dytë, ka përfshirë zona që janë shumë të rëndësishme për prodhimin dhe transportin e naftës dhe gazit nga Gjiri Persik, duke shkaktuar rritje të çmimeve në tregjet globale.
Në video, Orbani ka thënë se BE-ja me 27 vende anëtare duhet të “rishikojë dhe të pezullojë të gjitha sanksionet ndaj energjisë ruse në të gjithë Evropën.”
Qeveria nacionaliste e Orbanit prej kohësh ka kundërshtuar përpjekjet e BE-së për të ulur importet e energjisë nga Rusia. Së bashku me Sllovakinë, Hungaria ka vazhduar dhe madje ka rritur furnizimet me naftë dhe gaz rus që nga fillimi i luftës së plotë të Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Të dy vendet kanë marrë një përjashtim të përkohshëm nga politika e BE-së që ndalon importet e naftës ruse dhe deri së fundmi kanë marrë furnizime përmes tubacionit Druzhba, i cili kalon nëpër Ukrainë.
Por dërgesat e naftës përmes tubacionit Druzhba janë ndalur që nga 27 janari, duke shkaktuar një konflikt në rritje mes Hungarisë dhe Ukrainës. Qeveria ukrainase thotë se një sulm me dron rus dëmtoi infrastrukturën e tubacionit, por Orbani ka akuzuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se po bllokon qëllimisht furnizimin me naftë.
Si reagim, Orbani ka vënë veton ndaj një rundi të ri sanksionesh të BE-së kundër Rusisë dhe po bllokon edhe një hua të madhe prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, derisa furnizimet të rifillojnë.

