MaqedoniTop Lajme

Studentë mos harroni! Deri më 5 mars aplikimi për ushqim të subvencionuar

Shpërndaje

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut njofton studentët se afati për aplikim për të drejtën e shujtës studentore të subvencionuar për vitin akademik 2025/2026 do të zgjasë nga 1 deri më 5 mars 2026.

Të drejtën për shujtë studentore të subvencionuar mund ta shfrytëzojnë të gjithë studentët e rregullt në studime deridiplomike që kanë të ardhura mujore më të ulëta se paga minimale neto, si dhe studentët e regjistruar në studime pasuniversitare dhe studime të integruara në universitetet shtetërore dhe private në vend.

Studentët që i plotësojnë kushtet dhe nuk kanë aplikuar më herët, mund ta bëjnë aplikimin në mënyrë elektronike përmes portalit zyrtar të Ministrisë. Kushtet dhe kriteret e detajuara për realizimin e kësaj të drejte janë të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë.

Nga Ministria bëjnë të ditur se edhe studentët të cilëve u është ndërprerë e drejta për shujtë të subvencionuar, por që konsiderojnë se i plotësojnë kushtet, mund të riaplikojnë. Ky afat është i hapur edhe për ata që nuk kanë aplikuar në afatet e mëparshme aktive.

Në njoftim theksohet se, për shkak të rregullativës ligjore për autentifikim të përforcuar gjatë pagesave pa kontakt në POS terminale, studentët do të duhet të vendosin PIN-kodin që transaksionet të jenë të suksesshme.

Sparkasse Banka Maqedoni ka publikuar dy njoftime të veçanta lidhur me këtë risi dhe mbështetjen për studentët. Sipas sqarimit, nëse studentët e dinë ose e posedojnë PIN-kodin e tyre, nuk ka nevojë për riaktivizim.