Trump kërkon shpjegime nga ushtria amerikane përse Ngushtica e Hormuzit nuk mund të rihapet menjëherë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërkuar shpjegime nga drejtuesit e ushtrisë amerikane se përse Ngushtica e Hormuzit nuk mund të rihapet menjëherë për trafikun detar.
Sipas një raportimi të The New York Times, gjatë një takimi në Zyrën Ovale, Trump i drejtoi këtë pyetje kryetarit të Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjeneralit Dan Caine, duke kërkuar të dinte pse SHBA nuk mund të garantojë menjëherë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në këtë korridor strategjik.
Gjenerali shpjegoi se situata është shumë më komplekse nga sa duket. Sipas tij, Irani mund të pengojë trafikun detar përmes taktikave asimetrike, duke përdorur mjete të vogla dhe shumë të lëvizshme, në vend të një flote të madhe.
Ai theksoi se edhe një luftëtar i vetëm në një skaf të vogël të armatosur mund të përbëjë kërcënim serioz për super-cisternat e mëdha të naftës, të cilat lëvizin ngadalë në këtë korridor të ngushtë detar.
Pikërisht kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë garantimin e sigurisë së plotë në Hormuz, pavarësisht epërsisë ushtarake që SHBA dhe aleatët e saj kanë në rajon.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një arterie jetike për tregtinë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon një pjesë shumë e madhe e eksporteve botërore të naftës. Për këtë arsye, çdo tension apo bllokim në këtë zonë reflektohet menjëherë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

