Trump: Vendimi për t’i dhënë fund luftës me Iranin do të merret në mënyrë të ndërsjellë me Izraelin
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të dielën se do ta marrë vendimin për t’i dhënë fund luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në mënyrë të ndërsjellë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, transmeton Anadolu.
“Mendoj se është e ndërsjellë, pak a shumë. Kemi folur. Do të marr një vendim në kohën e duhur, por gjithçka do të merret parasysh”, tha Trump kur u pyet nëse Netanyahu do të kishte një fjalë në vendim gjatë një interviste të shkurtër telefonike për gazetën “Times of Israel”.
Trump nuk pranoi të jepte mendimin e tij mbi mundësinë që Izraeli të vazhdojë sulmet e tij pasi SHBA-ja të ndalojnë sulmet e saj, duke thënë: “Nuk mendoj se do të jetë e nevojshme”.
Shtëpia e Bardhë tha të premten se pret që lufta të zgjasë katër deri në gjashtë javë, por ky afat kohor ka ndryshuar me shpejtësi gjatë javës së kaluar dhe Trumpi ka refuzuar vazhdimisht të vendosë afat kohor specifik për luftën e tij.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1.200 njerëz, përfshirë udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse shkolle dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është hakmarrë me breshëri të gjera sulmesh që kanë synuar bazat amerikane, objektet diplomatike dhe personelin ushtarak në të gjithë rajonin si dhe qytete të shumta izraelite. Të paktën gjashtë anëtarë të shërbimit amerikan janë vrarë.
Sulmet me dronë dhe raketa të Iranit kanë vazhduar të përshkallëzohen, me raportime që tregojnë se Teherani ka qëlluar vazhdimisht raketa të ngarkuara me municione thërrmuese drejt Izraelit.
Më herët të dielën, Asambleja e Ekspertëve të Iranit njoftoi se zgjodhi Mojtaba Khamenein si udhëheqësin e ri suprem të vendit, duke pasuar babanë e tij, Ali Khamenei. Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit shpejt i dhanë mbështetjen e tyre emërimit të Khameneit.
Trump tha në një intervistë për ABC News se Khamenei i ri “nuk do të zgjasë shumë” pa miratimin e tij.
“Ai do të duhet të marrë miratimin tonë. Nëse ai nuk merr miratimin tonë, ai nuk do të zgjasë shumë. Ne duam të sigurohemi që nuk do të na duhet të kthehemi çdo 10 vjet, kur nuk keni një president si unë që nuk do ta bëjë këtë”, tha presidenti amerikan.

