Vendoset gurthemeli i kampusit të universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, një epokë e re për arsimin e lartë në vend
Shkup, 7 mars 2026 – Në një atmosferë festive dhe me rëndësi të lartë simbolike, sot u vendos gurthemeli i kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Ky projekt, i vlerësuar si investimi më strategjik në historinë e arsimit të lartë në vend me një kosto prej 42 milionë eurosh, bëri bashkë krerët më të lartë të shtetit dhe drejtuesit e institucionit në një vizion të përbashkët për modernizimin e arsimit.
Gjatë ceremonisë, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, në cilësinë e nikoqirit, vlerësoi se ky moment shënon fundin e periudhës së hapësirave të improvizuara dhe fillimin e një epoke ku universiteti fiton shtëpinë e tij të përhershme. Rektori Fetaji vuri në dukje se ky projekt është një tempull i ri i dijes dhe humanizmit në zemër të Shkupit, duke shtuar se emri i shenjtores që mban ky institucion është një udhërrëfyes i përhershëm. Ai citoi rëndësinë e çështjes humane duke thënë: “Emri i Nënë Terezës na obligon që ky universitet të dallohet jo vetëm me edukimin e mendjes, por edhe me edukimin e zemrave të gjeneratave të reja, duke promovuar vlerat e humanizmit, përkushtimit dhe solidaritetit.”
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Z. Hristijan Mickoski, potencoi se ky projekt është shumë më tepër se një kantier ndërtimi, duke e cilësuar si një investim strategjik në mbrojtjen e kapitalit më të çmuar të vendit, rinisë. Ai konfirmoi se Qeveria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj, duke siguruar 42 milionë euro që ky kampus të ofrojë kushte bashkëkohore me laboratorë dhe infrastrukturë moderne, pasi, siç u shpreh ai, nuk ka ekonomi të fortë pa universitete të forta.
Mbi rëndësinë historike për arsimin shqip, kryetari i Komunës së Çairit, Z. Izet Mexhiti, në fjalën e tij nënvizoi se ky kampus e shndërron përfundimisht Çairin dhe Shkupin në një qendër universitare me dinjitet akademik. Ai theksoi se investimet në universitete ndërtojnë lidhje mes brezave dhe mbrojnë identitetin kulturor e gjuhësor të popullit tonë, duke formësuar elitën e ardhshme profesionale.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Znj. Vesna Janevska, uroi për fillimin e punimeve duke theksuar se ky investim kapital siguron që deri në vitin 2030, kuadri akademik dhe studentët të kenë kushte ideale për kërkim shkencor, duke e barazuar këtë institucion me universitetet më prestigjioze në vend.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Parë, Z. Bekim Sali, u shpreh se ky gurthemel është kurorëzimi i një pune të gjatë administrative dhe politike, duke vënë në dukje se nga sot beteja jonë është vetëm me kohën. Ai siguroi se ky kampus do të jetë një motor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe një motor i avancimit të dijes për të gjithë qytetarët.
Në aspektin institucional dhe teknik, zëvendësiministrja e Transportit, Znj. Kaltrina Zekolli Shaqiri, kujtoi rrugëtimin e vështirë të universitetit nga objektet e improvizuara drejt këtij momenti kulminant, duke shprehur krenarinë që Ministria e Transportit e ka bërë këtë vizion realitet përmes dhënies së lejes së ndërtimit.
Kampusi i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup pritet që të shtrihet në 31 mijë metra katrorë, do të përfshijë amfiteatro, biblioteka digjitale, laboratorë kërkimorë, salla sporti dhe pishinë, duke u shndërruar në një bastion të dijes që do t’u shërbejë brezave për dekadat që vijnë.

