Vetëvendosje e dërgon në Kushtetuese dekretin e Osmanit, Presidenca pret vendimin
Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është ankuar zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese kundër dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, teksa Presidenca njoftoi se po e pret vendimin e gjykatës më të lartë të vendit para se të vendosë të shpallë apo jo datën për zgjedhjet e reja.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, njoftoi në Facebook të hënën se krahas kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit, i kanë kërkuar Gjykatës ta pezullojë përkohësisht dekretin e presidentes deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.
“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit”, shkroi ajo.
Osmani e nxori më 6 mars dekretin për ta shpërndarë Kuvendin, gjë që do ta çonte vendin e zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse është në pritje të vendimit të Kushtetueses, tha të hënën këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.
“Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, tha ai./REL

