Ekskluzive: Ky është vendimi i parë i Haxhiut si u.d Presidente e Kosovës
Burime të sigurta të Gazeta Minuti bëjnë të ditur se ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pritet që vendimin e saj të parë në këtë funksion ta marrë pikërisht në një prej çështjeve më të rëndësishme institucionale në vend – përbërjen e re të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas këtyre burimeve të Gazeta Minuti, Haxhiu pritet të dekretojë emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së, të cilët do të propozohen nga subjektet politike kryesore në vend, përkatësisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Ky hap konsiderohet urgjent për shkak të afateve ligjore dhe zhvillimeve të fundit politike në vend. Sipas legjislacionit në fuqi, partitë politike kanë një afat të kufizuar për të propozuar emrat e tyre, ndërsa presidenti apo ushtruesi i detyrës ka përgjegjësinë që brenda pak ditësh të bëjë dekretimin e tyre .
Burimet theksojnë se përzgjedhja e anëtarëve të rinj do të reflektojë përfaqësimin politik në Kuvend, duke qenë se KQZ përbëhet nga anëtarë që vijnë nga partitë parlamentare dhe kanë rol kyç në organizimin dhe administrimin e proceseve zgjedhore në vend.
Vendimi i parë i Haxhiut pritet të shihet edhe si një sinjal politik për mënyrën se si do të menaxhohet faza e ardhshme institucionale, në një kohë kur vendi përballet me zhvillime të rëndësishme politike dhe mundësi për procese të reja zgjedhore.
Ndërkohë, mbetet të shihet se cilët do të jenë emrat konkretë që do të propozohen nga LVV dhe PDK, si dhe nëse do të ketë konsensus më të gjerë politik për përbërjen e re të këtij institucioni kyç për demokracinë në Kosovë.

