Haxhiu: Do të ushtroj detyrën e Presidentes në përputhje me Kushtetutën
Përmes një postimi në Facebook, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka marrë detyrën e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republika e Kosovës.
Ajo theksoi se mekanizmat kushtetues garantojnë vazhdimësi dhe stabilitet institucional, duke shtuar se këtë përgjegjësi do ta ushtrojë me përkushtim të plotë, në funksion të garantimit të funksionimit të pandërprerë të institucioneve dhe respektimit të rendit kushtetues.
Sipas saj, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vijojë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri brenda afateve kushtetuese, ndërsa deri atëherë ajo do ta ushtrojë këtë detyrë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe interesin publik.
Në fund, Haxhiu falënderoi Vjosa Osmani Sadriu për shërbimin ndaj vendit dhe i uroi suksese në vazhdim.
Postimi i plotë:
Sot kam marrë detyrën e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.
Mekanizmat kushtetues që kemi ndërtuar garantojnë vazhdimësi e stabilitet institucional.
Këtë përgjegjësi do ta ushtroj me përkushtim të plotë, duke garantuar funksionim të pandërprerë të institucioneve dhe respektim të rendit kushtetues.
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vijojë procedurën kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri brenda afateve kushtetuese. Deri në përmbylljen e këtij procesi, do ta ushtroj këtë detyrë në respekt të plotë të Kushtetutës, ligjit dhe interesit publik.
Falënderoj Presidenten Vjosa Osmani Sadriu për shërbimin e saj ndaj vendit dhe i uroj suksese në vazhdim.

