Kurti pas rikthimit në punë të Kuvendit: Vullneti i popullit nuk shpërndahet me dekrete
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli si pa efekt juridik dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, ka thënë se vullneti i popullit nuk mund të ndalet me dekrete.
Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës:
I nderuar nënkryetar Gola,
Të nderuar deputetë të Kuvendit,
Të nderuar ministra të Qeverisë,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në seancë plenare të Kuvendit të Republikës sërish, në rikthimin e shtëpisë së demokracisë, pothuajse një muaj pas dekretit të Presidentes për shpërndarjen e tij. Dekreti i lëshuar ishte në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ka krijuar një situatë e cila kërkon qartësi, jo konfuzion; e cila kërkon përgjegjësi, jo shmangie.
Gjykata Kushtetuese ka folur për natyrën e republikës sonë demokratike e parlamentare dhe për kufijtë që Kushtetuta i vendos çdo institucioni. Në këtë rend, shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për të tejkaluar vështirësi politike dhe mbi të gjitha, është vërtetuar e dëshmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese tash, që presidenti nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit, as nën presion të afateve e të paqartësive kushtetuese. Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete e rrjedhimisht as nuk shpërndahet.
Tani, pas qartësimit dhe vërtetimit të kësaj të vërtete të pamohueshme, sot nuk kemi një boshllëk institucional përpara nesh, por kemi një detyrë të qartë. Kuvendi është funksional dhe i kthehet punës së tij. Mandati i deputetëve është i gjallë dhe përgjegjësia ndaj proceseve e politikave publike është edhe më e madhe. Afatet kushtetuese janë në rrjedhë. Shteti nuk ka ndalur së vepruari dhe nuk ka asnjë arsye që ne ta ndalim atë.
Përkundrazi, çdo përpjekje për ta ndërprerë këtë funksionim do të ishte jo vetëm politikisht e gabuar, por edhe një precedent që cenon vetë idenë e ndarjes dhe balancës së pushteteve. Demokracia nuk mbahet në këmbë e nuk avancon përpara duke e bllokuar punën dhe funksionin e njëra-tjetrës, por duke e respektuar çdo pushtet tjetër brenda kufijve të përcaktuar nga vetë Kushtetuta.
Kjo nuk është një çështje abstrakte apo debat teorik. Vazhdimi i punës së institucioneve tona është më konkret se kurrë. Por njëkohësisht edhe më i nevojshëm se asnjëherë më parë. Pra, rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat, inatet apo refuzimet për të ecur përpara, por çka pritet prej nesh është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, agjenda legjislative që e përmirësojnë përditshmërinë e qytetarëve pa dallim, politika publike në dobi të brezave që vijnë e që kërkojnë konsistencë dhe siguri juridike.
Dhe të gjitha këto nuk mund të mbahen peng të një krize të prodhuar politikisht. Vullneti i popullit është shprehur më 28 dhjetor, në zgjedhje të lira e demokratike, tash ne duhet të flasim për vullnetin tonë për t’i shtyrë përpara punët e mira për qytetarët. Andaj, duhet të kthehemi aty ku kemi mbetur dhe të vazhdojmë punën tonë me seriozitet.
Qytetarët presin që ne të procedojmë sa më shpejt me Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, sepse lufta kundër korrupsionit nuk është një kapitull që hapet dhe mbyllet sipas nevojës politike, por është një vijë e pandërprerë që e ndan drejtësinë nga padrejtësia. Diçka që qytetarët pa dallim partie e kërkojnë dhe e mirëpresin. Nëse qytetarët e mirëpresin, nuk ka arsye që partitë të mos e mbështesin.
Ne nuk kemi ardhur këtu për të menaxhuar një realitet të deformuar, por jemi përgjegjës për ta ndryshuar pozitivisht atë. Dhe ndryshimi fillon aty ku shteti e bën të qartë se çdo cent i keqpërdorur nga zyrtarët publik duhet t’i kthehet atij që i takon, pra qytetarit. Nëse qytetari i zakonshëm duhet të japë llogari për çdo cent që e fiton, atëherë edhe ai që është pasuruar në mënyrë të pajustifikueshme duhet të japë përgjigje për çdo euro që ka abuzuar.
Këtë nuk e bëjmë si një akt hakmarrjeje, por si një akt barazie. Sepse një shtet që nuk i dënon të fortit e padrejtë, në fakt i braktis të dobëtit çdo ditë. Nëse i kërkojmë tatimin secilit që punon me djersë në ballë e me mund fizik a intelektual dhe vjen i rraskapitur çdo mbrëmje, atëherë cila është arsyeja që të mos kërkojmë nga ata që pa asnjë përpjekje i çel mëngjesi të pasuruar?!
Derisa presim mbështetje për ligjin për Byronë, pra abuzimet me fondet publike, ne gjithashtu presim mbështetjen për mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet me çmimet e larta. Pozita dhe opozita janë dëshmitarë që qytetarët tanë kanë ankesa për abuzime me çmime të larta. Atëherë, nëse pajtohemi për problemin, duhet të pajtohemi edhe me zgjidhjen.
Me fjalë të tjera, duhet ta rikthejmë ligjin për çmimet tavan, jo si një debat ideologjik, por si një përgjigje konkrete ndaj një realiteti që çdo familje e ndjen përditë. Bota po kalon nga kriza në krizë: një luftë që ka nisur nuk përfundon, fillon një tjetër që as nuk mendonim se do të nisë.
Nga pandemia e vitit 2020, te lufta në Ukrainë në vitin 2022, e së fundmi edhe lufta në Lindjen e Mesme, ndërkohë që krizës energjetike të vitit 2022 po i shtohet edhe ajo e vitit 2026. Ju e dini që secilës sfidë i jemi përgjigjur me pako konkrete ekonomike dhe jemi munduar që në çdo dimension, në mandatin e kaluar, të ndihmojmë secilën kategori shoqërore.
Por, sikur në secilën krizë, ju e dini, të nderuar deputetë, që dikush zgjedh të përfitojë. Ka tregtarë, biznese të mëdha që e kanë keqpërdorur krizën për të rritur artificialisht çmimet. Andaj, kur çmimi i produkteve bazike rritet përtej çdo logjike ekonomike, kur tregu e humb sensin e drejtësisë dhe qytetari mbetet i pambrojtur, atëherë shteti nuk mund të fshihet prapa parimeve abstrakte.
Ai duhet të ndërhyjë me maturi, por edhe me vendosmëri. Sepse liria ekonomike nuk mund të kthehet në liri për të shfrytëzuar dhe tregu nuk mund të jetë një hapësirë ku më i forti vendos gjithmonë mbi më të dobëtin.
Duhet theksuar që të njëjtën iniciativë e morëm edhe më herët për këtë, por u pat kontestuar në Gjykatë Kushtetuese nga opozita. Pra, ankesa për çmime të larta u bë ankesë në Gjykatë Kushtetuese për të ndalur abuzimin me çmime!
Tash shumë shpejt do ta risjellim këtu për ta votuar dhe presim që edhe opozita të reflektojë dhe të na mbështesë në këtë projektligj. Sepse ky projektligj i ri, por në thelb i vjetër, mbron nga abuzimi me çmime të larta të gjithë qytetarët. Pra, ata që na mbështesin ne si mazhorancë, por edhe qytetarët që mbështesin PDK, LDK, AAK e kështu me radhë.
Prandaj, problemet e përbashkëta kërkojnë zgjidhje të përbashkët dhe presim përkrahje të të gjithëve. Duke theksuar gjithmonë se kjo nuk është ndërhyrje kundër tregut; kjo është ndërhyrje për drejtësi në treg. Dhe drejtësia në treg është pjesë e drejtësisë në shoqëri.
Të nderuar deputetë,
Nëse shteti duhet të jetë i drejtë në ekonomi, ai duhet të jetë po aq i drejtë në hapësirën publike. Hapësira publike është e të gjithëve, që do të thotë e asnjërit me emër të përveçëm. Dhe këtu hyn një tjetër çështje që nuk mund të anashkalohet: media.
Një demokraci nuk jeton vetëm nga vota qytetare, por edhe nga fjala e thënë. Dhe kjo duhet të jetë e lirë për të qenë e vlefshme. Por fjala nuk mund të jetë e lirë nëse është e kapur nga interesa të fshehta. Raportimet për financime me thasë parash nuk janë vetëm një problem i etikës profesionale; ato janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për integritetin e debatit publik.
Sepse kur paraja hyn në mënyrë të padukshme, ajo nuk blen vetëm hapësirë mediatike, ajo blen ndikim, orienton narrativën dhe, në fund, deformon perceptimin e qytetarit.
Një qytetar i dezinformuar nuk është qytetar i lirë. Ai është i manipuluar dhe, siç tregojnë edhe raportet, ky manipulim po vjen direkt nga armiqtë tanë, por që fatkeqësisht po gjejnë edhe argatin e tyre brenda vendit tonë.
Ne nuk kemi asnjë interes të kufizojmë mediat. Përkundrazi, kemi interes që ato të jenë më të forta, më të pavarura, më hulumtuese dhe më kritike. Por pavarësia nuk mund të ndërtohet mbi fshehtësi që financojnë shpifjen dhe dezinformimin.
Liria editoriale duhet të jetë e garantuar, por ajo duhet të shoqërohet me transparencë të plotë të pronësisë dhe të financimit. Qytetarët duhet të dinë se kush flet, në emër të kujt flet dhe me çfarë burimesh flet, si dhe nga kush financohet.
Nëse secili biznes tjetër jep përgjegjësi për financat dhe burimet e tij, mediat gjithashtu duhet të jenë në të njëjtin nivel të përgjegjësisë. Kjo edhe e mbron qytetarin nga manipulimi dhe dezinformimi, por edhe i mbron gazetarët dhe mediat e ndershme që raportojnë e informojnë me burime të sakta dhe financa të gjurmueshme.
Ligji për Këshillin e Pavarur për Media që do ta sjellim para jush nuk është për të kontrolluar median, por për ta mbrojtur atë nga kapja. Censurë është pengesa e lajmit të drejtë, jo e lajmeve të pavërteta me financime të dyshimta.
Një demokraci që nuk e sheh këtë rrezik në kohë rrezikon të humbasë lirinë pa e kuptuar; dhe, me të njëjtën logjikë, ka vepruar edhe Bashkimi Evropian kur ka mbyllur transmetimin e portaleve dhe televizioneve ruse.
Nëse në diktatura të dikurshme kontrolloheshin rezultatet, sot nga oligarkia ka rrezik të kontrollohen premisat në mënyrë që të manipulohen rezultatet. Sot, grupet e interesit nuk e prekin lirinë e shprehjes; ato kontrollojnë ekonominë e medias, ashtu që mos të ketë nevojë për ndërhyrje në lirinë e shprehjes.
Të nderuar deputetë,
Në fund, të gjitha këto çështje, nga dekreti te marrëveshjet ndërkombëtare, nga lufta kundër korrupsionit te drejtësia në treg dhe transparenca në media, lidhen me një parim të vetëm që duhet të na udhëheqë, por edhe të na bashkojë: sundimi i ligjit.
Një shtet i së drejtës kërkon përgjegjësi dhe llogari. Ne do të vazhdojmë punën tonë që republika jonë e përbashkët të jetë shembull për qytetarët pa dallim dhe model për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Populli ynë ka vuajtur shumë nga padrejtësitë e të huajve dhe prandaj kërkon llogari e drejtësi nga përfaqësuesit e vet. Kuvendi është shtëpia ku shtyhen politika që kërkojnë përgjegjësi nga ata që kanë abuzuar me fonde publike, ku vihen standarde për fjalën publike, ku mbështeten marrëveshje ndërkombëtare dhe kërkohet përgjegjësi për ata që abuzojnë me lirinë e shprehjes, si dhe përkrahen iniciativa që i mbrojnë qytetarët nga abuzime me çmime të larta.
Kjo është detyrë e të gjithë neve dhe prandaj duhet edhe mbështetje e të gjithëve bashkë.
Këto iniciativa do të jenë të gjitha shumë shpejt para jush, prandaj edhe presim që t’i adresoni, diskutoni, procedoni dhe miratoni sa më shpejt.
Prandaj sot nuk e kemi luksin e vonesës. Nuk e kemi luksin e bllokadës. Dhe nuk kemi nevojë për zgjedhje të reja, të sërishme, si ikje nga përgjegjësia që na takon.
Kosovën, institucionet e saj legjitime, me vullnet të shprehur rishtazi e qartësisht nga qytetarët, duhet ta lëmë të punojë. Ka pasur mjaftueshëm zgjedhje e rizgjedhje. Qytetarët kanë folur mjaftueshëm.
Tani na duhet të punojmë sa më shumë, sa më shumë që të mundemi bashkë, e jo të kemi bllokada të reja që nuk e lënë vitin e vjetër të jetë në të kaluarën.
Bllokadat, grackat, kleçkat, taktikat, nuk janë mendësi e zhvillimit, por e ngecjes. Është koha që të ecim përpara dhe të jemi në krye të detyrës, veçanërisht në këto rrethana jo të lehta globale.
Ju faleminderit.

