Kurti përkujton përvjetorin e Masakrës së Kralanit
Kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, kujtoi përvjetorin e Masakrës së Kralanit. Në përvjetorin e kësaj tragjedie, ndajmë dhimbjen me familjet që me vite kanë jetuar mes krenarisë dhe ankthit të pritjes.
Postimi i plotë:
Në përvjetorin e Masakrës së Kralanit, ndajmë dhimbjen me familjet që me vite kanë jetuar mes krenarisë dhe ankthit të pritjes.
Mes 2 dhe 4 prillit 1999, forcat ushtarake dhe policore të Serbisë grumbulluan me dhunë qindra burra dhe djem shqiptarë në një fushë në Kralan, të rrethuar me tanke. Ata u mbajtën nën tortura çnjerëzore, pa ujë dhe ushqim, për dy ditë me radhë. Më 4 prill, 86 prej tyre, përfshirë edhe të mitur, u ndaluan. Që nga ajo ditë nuk u panë më të gjallë.
Shumë prej tyre u vranë, u zhdukën dhe u groposën në varreza masive, në përpjekje për të fshehur krimet dhe për të zhdukur të vërtetën.
Disa nga mbetjet mortore janë gjetur pas luftës në fshatra pranë Gjakovës. Trupat e 18 të vrarëve janë gjetur në varrezën masive pranë liqenit Peruqac në Serbi, e 11 nga të zhdukurit janë gjetur në varrezën masive në Bishtazhin. Dhjetëra të tjerë mbeten ende të zhdukur e plagët e familjeve vazhdojnë të jenë të hapura. Këto plagë janë dëshmi e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të Serbisë të kryer gjatë luftës në Kosovë.
Në këto ditë të rënda, nuk ka fjalë që mund të zbusin dhimbjen apo të mbushin zbrazëtinë që ndjejnë familjarët. Qëndresa dhe durimi i tyre janë dëshmi e forcës së popullit tonë.
Sot dhe çdo ditë, jemi të përkushtuar në betejën për drejtësi dhe në nderimin e përhershëm të martirëve dhe dëshmorëve tanë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë ata që sakrifikuan jetën për lirinë që gëzojmë sot.
Lavdi!

