Kuvendi i Kosovës miratoi dhjetë projektligje në shqyrtim të parë
Me kërkesë të 41 deputetëve Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh në seancë të jashtëzakonshme plenare, për të shqyrtuar një varg projektligjesh.
Fillimisht Kuvendi miratoi shmangien nga afatet procedurale për shqyrtimin e parë të Projektligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, për të vijuar më pas me shqyrtimin e tij.
Ne emër të sponsoruesit projektligjin para Kuvendit e paraqiti dhe arsyetoi ministri i Financave, Hekuran Murati, duke e cilësuar instrument të rëndësishëm për mbrojtjen e konsumatorit.
Pas diskutimeve nga ana e përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe deputetëve të tjerë, Kuvendi miratoi projektligjin, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tij në komisione parlamentare, para shqyrtimit të dytë në seancë.
Po me shmangie nga afatet procedurale Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë edhe nëntë projektligje të tjera: Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, Projektligjin për Shërbimet e Pagesave, Projektligjin për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030, Projektligjin për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore, Projektligjin për Banim Social dhe të Përballueshëm, Projektligjin për Shtetësinë e Kosovës, Projektligjin për Lëndët Plasëse, si dhe Projektligjinpër Provimin e Maturës Shtetërore.
Projekligjet u paraqitën nga ministrat e resorëve përkatës, Arben Vitia, Hekuran Murati, Blerim Gashani, Fitore Pacolli Dalipi dhe Hajrulla Çeku, duke u vlerësuar si akte juridike me rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës.
Në këtë seancë Kuvendi mbajti një minutë heshtje në nderim të figurës së ish-kongresistit amerikan, mikut të madh të shqiptarëve, Eliot Engel, i cili ndërroi jetë sot. Kryetarja Haxhiu e cilësoi atë një mik të dëshmuar të Kosovës dhe mbështetës të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë së saj.

