MaqedoniTop Lajme

Mickoski: Qeveria me masa të reja emergjente, akcizat e karburanteve ulen, parandalohet rritje e re

Shpërndaje

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Sot nuk ju drejtohem vetëm si Kryetar i Qeverisë, por si një njeri që e kupton thellësisht shqetësimin që secili prej jush e ndjen në këto kohë të pasigurta.

Bota po përballet sërish me një krizë serioze. Ngjarjet dhe tensionet ushtarake në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar tronditje të mëdha në tregjet globale, veçanërisht në sektorin energjetik. Çmimet e naftës po rriten, pasiguria po shtohet dhe presioni mbi ekonomitë – si të mëdha ashtu edhe të vogla – po bëhet gjithnjë e më i fortë.

Ne si shtet nuk mund të jemi të izoluar nga këto procese. Ne jemi pjesë e botës, pjesë e sistemit ekonomik evropian dhe çdo ndryshim global reflektohet drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë.

Por ajo që na dallon është mënyra se si reagojmë.

Qeveria nuk pret që kriza të na përplasë. Qeveria vepron.

Më herët kemi marrë vendim për uljen e TVSH-së nga 18 në 10 për qind, me çka kemi parandaluar një goditje të madhe dhe të fortë të çmimeve. Maqedonia paguan karburantet më të lira në rajon. Por informacionet dhe analizat tona tregojnë se është e nevojshme të reagohet sërish.

Prandaj sot kemi mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme dhe urgjente të Qeverisë, ku kemi marrë disa vendime konkrete dhe të përgjegjshme, dhe dua ta informoj publikun për to.

Së pari, duke qenë se kanë kaluar dy javë nga ulja e TVSH-së nga 18 në 10 për qind, dua ta informoj publikun se këtë masë do ta zgjasim deri në fund të gjendjes së krizës, e cila pritet të përfundojë rreth datës 20 prill. Pra, vazhdojmë me normën e ulur të TVSH-së nga 18 në 10 për qind.

Njëkohësisht kemi marrë vendim që të mundësohet ulja e akcizës për naftën (dizelin) me 4 denarë për litër, ndërsa për benzinat pa plumb 95 dhe 98 oktanësh me 2 denarë për litër. Kjo do të reflektohet ndjeshëm në çmimet e karburanteve dhe tregon se po luftojmë për të ruajtur standardin e qytetarëve.

Nëse kjo ulje e akcizës nuk do të ndodhte, atëherë një litër dizel do të kushtonte rreth 102 denarë, ndoshta edhe më shumë, sipas llogaritjeve tona. Ndërsa benzinat pa plumb 95 dhe 98 do të ishin më të shtrenjta për 1.5 deri në 2 denarë për litër. Me këtë ulje, çmimi i dizelit ulet për 4 denarë për litër, ndërsa për benzinat pa plumb për 2 denarë.

Gjithashtu, dua të informoj publikun se gjatë orëve të paradites kemi pasur diskutime dhe negociata me “OKTA”. Ata do ta vazhdojnë zbritjen e tyre deri në fund të muajit prill, që do të thotë se për dizelin kemi zbritje prej 3 denarësh për litër, ndërsa për benzinat pa plumb 95 dhe 98 kemi shtesë prej 2 denarësh për litër.

Kur të gjitha këto përllogariten, për dizelin çmimi praktikisht mbetet i njëjtë si më parë, sepse rritja potenciale prej 7 denarësh për litër amortizohet. Ndërsa për benzinat pa plumb 95 dhe 98, përveç uljes së akcizës prej 2 denarësh, kemi edhe 2 denarë ulje shtesë, që do të thotë se çmimi është më i ulët se ai i javës së kaluar.

Me këtë tregojmë edhe një herë se kujdesemi për standardin e qytetarëve dhe se ai është prioriteti ynë kryesor.

Gjithashtu, dua t’ju informoj se javën e kaluar konsumi ka arritur në nivel rekord prej 2.000.000 litrave në ditë.