BotaTop Lajme

Rënie drastike e çmimeve të naftës pas marrëveshjes SHBA-Iran

Shpërndaje

Çmimet e naftës bruto pësuan një rënie të menjëhershme duke rënë nën 100 dollarë për fuçi, pasi Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar një armëpushim dy-javor me Iranin, të propozuar nga Pakistani.

​Sipas marrëveshjes, armëpushimi është i kushtëzuar me rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit – një pikë kyçe detare përmes së cilës kalon rreth një e katërta e tregtisë botërore të naftës.
​Nafta referente globale “Brent” ra për rreth 16%, në afërsisht 92 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI shënoi rënie prej rreth 19%, duke arritur në nivele të ngjashme.

Megjithatë, çmimet mbeten ende më të larta krahasuar me periudhën para fillimit të konfliktit.

​Pavarësisht rënies së çmimeve, pasiguria mbetet e pranishme. Pyetja kryesore është nëse kompanitë e lundrimit do të kenë besim të mjaftueshëm për kalim të sigurt përmes ngushticës dhe nëse eksporti i naftës dhe gazit do të normalizohet.

​Pas lajmit për armëpushimin, bursat botërore shënuan rritje të ndjeshme. Indekset në Wall Street u rritën, ndërsa trendi pozitiv u bart edhe në tregjet aziatike, ku u regjistruan fitime të fuqishme.

​Analistët megjithatë paralajmërojnë se tregjet po reagojnë bazuar në shpresë dhe jo në siguri, pasi ende nuk ka një konfirmim të qartë se Ngushtica e Hormuzit do të jetë plotësisht e hapur.