Bota

Trump emëron zv/presidentin JD Vance në krye të hetimeve për mashtrim

Shpërndaje

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka bërë të ditur se zv/presidenti JD Vance do të hetojë mashtrimet e pretenduara në shtetet e drejtuara nga demokratët, në rolin e tij të ri si “car i hetimeve të mashtrimit”, transmeton Anadolu.

“Zv/presidenti JD Vance tani është në krye të mashtrimit në SHBA”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke shtuar: “Fokusi i tij do të jetë kudo, por kryesisht në ato shtete blu [demokrate]”.

Ai pretendoi se shtete si Kalifornia, Ilinoi, Minesota, Maine, New Yorku dhe shumë të tjera “kanë pasur një liri totale në vjedhjen e paprecedentë të parave të taksapaguesve”.

Presidenti amerikan tha se “kontrollet tashmë kanë filluar” në Los Anxhelos, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Muajin e kaluar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për krijimin e një task-force kombëtare, të udhëhequr nga zv/presidenti Vance, për të mbështetur pretendimet e presidentit se fondet federale të destinuara për programet e mirëqenies sociale po keqpërdoren në disa shtete.

Kritikët e Trumpit thonë se mashtrimi është i përhapur në administratën e tij, duke përmendur punësimin e të afërmve me konflikt interesi si këshilltarë dhe miratimin e marrëveshjeve të bashkimeve vetëm për biznesmenë të lidhur politikisht me presidentin.

Ata gjithashtu thonë se ndjekja e rasteve të mundshme të mashtrimit vetëm në shtetet e drejtuara nga demokratët injoron mashtrimet në shtetet republikane dhe për këtë arsye është e motivuar politikisht.