RajoniTop Lajme

U mbajt Akademi përkujtimore në shënim të 45-vjetorit të demonstratave të vitit 1981

Shpërndaje

Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u organizua Akademi përkujtimore, në shënim të 45-vjetorit të demonstratave të vitit 1981.

Kryeministri Kurti tha se demonstratat e atij moti, nisën më 4 mars të vitit 1981, nga një episod revolte ndaj kushteve në mensën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, por shpejt prodhuan një seri veprimesh. Fillimisht, një protestë më 11 mars, kur pas ndeshjes futbollistike Prishtina – Partizani, mijëra studentë e kthyen revoltën e tyre sociale në protestë studentore. “Pas dy javësh, më 26 mars 1981, protesta studentore u kthye në një demonstratë gjithëpopullore, në ditën kur mijëra shikues ishin grumbulluar për ta ndjekur manifestimin “Stafeta e Rinisë” në Prishtinë. Parullat “Kosova Republikë”, “Ne jemi shqiptarë, jo jugosllavë”, “Bashkim me Shqipërinë” e tronditën Jugosllavinë. Ndërhyrja brutale e policisë jugosllave që me njësite shtesë një ditë më parë e kishte vërshuar Kosovën, nuk e dobësoi vullnetin qytetar”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, ai theksoi se demonstratat e vitit 1981, janë të trashëguara në themelet dhe në shtyllat e shtetit tonë, por njëkohësisht edhe në angazhimin tonë të vazhdueshëm për më shumë e për më mirë, për çfarë historia e Kosovës padyshim se do t’i përmbajë si kapitull më vete, kurse kujtesa kolektive dhe ajo institucionale do t’i nderojë martirët, organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj.

Fjala
e
plotë
e
kryeministrit

Kurti
:

E nderuar kryetare e Kuvendit të Kosovës,
znj
. Albulena Haxhiu,

E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla,

E nderuar ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda
Bogujevci
,

I nderuari zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Enver
Cikaqi
, dhe ju ushtarakë e oficerë të tjerë të Ushtrisë sonë,

I nderuari ish-kryeministër i Kosovës, Bajram
Kosumi
,

I nderuar kryetar i Shoqatës së ish-burgosurve politik
Shefik

Sadiku
,

I nderuar kryetar i Komunës së Shtimes,
Qemajl

Aliu, i
Komunës së Kamenicës-Dardanës,
Kadri

Rahimaj
,

E nderuara
znj
.
Elmije

Plakiqi
,

I nderuar
Hydajet

Hyseni
,

Të nderuar pjesëmarrës dhe bartës të demonstratave të viti 1981,

Të nderuar profesorë e studentë,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, kolegë nga qeveria, zëvendësministra,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Prej vitesh dhe veçanërisht në periudhën e lirisë, çdo pranverë, i kemi kujtuar demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981 në Kosovë, si një ngjarje kapërcyese apo si një prag i mirëvendosur që rri poshtë një dere me peshë të rëndë, e cila e kishte mbyllur një epokë në njërën anë dhe e kishte hapur një epokë tjetër të re në anën tjetër. Sivjet në këtë përvjetor, kur u bënë 45 vite nga demonstratat e ‘81-shit, jam shumë i gëzuar që ju shoh të gjithëve këtu se bashku, për të ndarë kujtime dhe për të reflektuar mbi ngjarjet që i kanë prodhuar ato.

Si drejtues i Qeverisë së shtetit tonë, e kam kënaqësinë e veçantë të jem nikoqir i kësaj akademie përkujtimore, meqë ky takim është organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, asaj republike dhe të asaj Kosove, për të cilën është brohoritur aq fuqishëm dhe e cila është shkruar aq shumë pikërisht në demonstratat e vitit 1981.

Akronimi “KR”, si nistore e parullës “Kosova Republikë”, përmbledhë idealet politike të disa gjeneratave të shqiptarëve të Kosovës, të shqiptarëve në Jugosllavi dhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Rrjedhimisht, kërkesa për Republikën e Kosovës, thirrja për Kosova Republikë, është një nga shenjuesit me më së shumti ngarkesa kuptimore politike në tërë filozofinë dhe historinë e mendimit politik modern shqiptar.

Duke qenë në këtë sallë mes kaq shumë aktivistësh politikë që janë organizatorë e pjesëmarrës, dëshmitarë dhe trashëgimtarë të demonstratave të vitit 1981, mua nuk më takon të rrëfej për ngjarjet e asaj kohe, meqë për ju ato janë përjetime të ngulitura në kujtesën tuaj. Aq më tepër që pas meje, këtu para jush do të flas edhe Bajram Kosumi, i cili me librin e tij “Revolucioni 1981”, literaturën e memoaristikës politike për atë periudhë, me shkathtësi e ka ngritur në nivel të studimit shkencor. Por, duke përvijuar një kronologji të zhvillimeve të pranverës së vitit 1981 në Kosovë, më lejoni që të vë theksin te trashëgimia politike e demonstratave të vitit 1981.

Në atë botë e kohë, para gjysmë shekulli, shqiptarët në Jugosllavi ishin populli më i shtypur dhe më i margjinalizuar politikisht, si dhe më i diskriminuar e i shfrytëzuar ekonomikisht mbi baza etnike. Shqiptarët ishin të privuar nga shumë të drejta kulturore dhe shoqërore, meqë ata konsideroheshin nga shteti i Jugosllavisë si qytetar të pabarabartë me të tjerët, qytetarë të dorës e të rendit të dytë, dhe si një komunitet etnik që herët a vonë duhej dëbuar prej territoreve të tyre autoktonte, duke i spastruar etnikisht ato, për të krijuar më shumë hapësirë për Serbinë e Madhe. Indinjata e akumuluar ndër vite, atë vit shpërtheu duke u artikuluar politikisht në një lëvizje gjithëpopullore.

Demonstratat e atij moti, nisën më 4 mars të vitit 1981, nga një episod revolte ndaj kushteve në mensën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, por shpejt ato e prodhuan fillimisht një protestë më 11 mars, kur pas ndeshjes futbollistike Prishtina – Partizani, mijëra studentë e kthyen revoltën e tyre sociale në protestë studentore. Pas dy javësh, më 26 mars 1981, protesta studentore u kthye në një demonstratë gjithëpopullore, në ditën kur mijëra shikues ishin grumbulluar për ta ndjekur manifestimin “Stafeta e Rinisë” në Prishtinë. Parullat “Kosova Republikë”, “Ne jemi shqiptarë, jo jugosllavë”, “Bashkim me Shqipërinë” e tronditën Jugosllavinë. Ndërhyrja brutale e policisë jugosllave që me njësite shtesë një ditë më parë e kishte vërshuar Kosovën, nuk e dobësoi vullnetin qytetar.

Përkundrazi, më 1 dhe 2 prill 1981, demonstratat gjithëpopullore e arritën kulmin e tyre duke u shtrirë e ngritur në tërë Kosovën. Gjatë atyre ditëve dhe më pas, nga dhuna policore, numri i të vrarëve ishte nëntë, përveç pesëmbëdhjetë të plagosurve dhe mijëra të arrestuarve e të burgosurve, të cilët i prisnin gjyqet e montuara politike. Gjatë dhe pas këtyre demonstratave popullore, paqësore dhe të drejta, policët e Serbisë i vranë: Asllan Pirevën, Afrim Abazin, Naser Hajrizin, Ruzhdi Hysenin, Sherif Frangun, Ibrahim Krasniqin, Xhelal Maliqin, Salih Abazin dhe Riza Matoshin.

Demonstratat e vitit 1981 e ndanë historinë e Kosovës nën Jugosllavi në dysh, duke u bërë gur provues mes integrimit nënshtrues në sistemin jugosllav dhe refuzimit parimor të tij përmes lëvizjeve anti-sistem si rezistencë ndaj dhunës dhe shtypjes shtetërore të një regjimi politik i cili e kishte pushtuar Kosovën dhe e mbante në një federatë me popuj e njësi të tjera, pa vullnetin e neve banorëve shumicë të vendit tonë.

Pas demonstratave të vitit 1981, Kosova u kthye në një vend dhe shoqëri ku jeta e përditshme përshkohej nga përndjekje dhe gjyqe politike, arrestime, tortura, burgosje, biseda informative në strukturat e sigurisë; izolime dhe diferencime politike; ndryshime kushtetuese e statusore; shpërfillje dhe shtypje të vullnetit politik dhe imponime me dhunë; gjendje të jashtëzakonshme dhe gjendje të shtetrrethimit. Këto e kthyen Kosovën në një burg të madh të hapur, në të cilin mbi një e treta (1/3) e qytetarëve kishin kaluar nëpër praktikat arbitrare policore, të hetuesisë, prokurorisë, shërbimeve të fshehta dhe burgjeve. Mbi 80 për qind e të burgosurve politik nën Jugosllavi në vitet e 80-ta ishin shqiptarë.

Por viti 1981, e ktheu popullin e Kosovës për një udhë. Asaj udhe që kërkonte jetësimin e plotë të aspiratave politike të shqiptarëve të Kosovës, si konfirmim autentik i qenies politike të lirë. Idealet e demonstratave 1981, i frymëzuan dhe i prodhuan konceptet dhe idetë politike të viteve ’90 që u përbashkuan te rezistenca paqësore në fillim, dhe që kulmuan në fund të dekadës te kryengritja e armatosur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si bartëse. Shumë nga organizatorët dhe pjesëmarrësit e demonstratave të vitit 1981, disa prej të cilëve kaluan vite të gjata me burg të rëndë, teksa vazhduan të organizoheshin në organizata të fshehta dhe parti politike, e bartën mbi supet e tyre rezistencën e viteve ’90 dhe vetë luftën çlirimtare. Firmat e tyre në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, janë firma të idealeve të ’81-shit dhe të dekadës së viteve ’90, të hedhura në aktin themeltar të Republikës së Kosovës. Por, asnjëherë pa harruar se ne vëmë theksin tek ajo që nuk është realizuar ende e jo vetëm tek ajo që sapo arritëm. E këtu është një firmë e veçantë në dokumentin e shpalljes së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, është nënshkrimi i Hydajet Hysenit, i cili përpara ka katër shenja shumë të veçanta: tri pika dhe një presje, dhe mandej shkruan Hydajet Hyseni. Pra, Pavarësia e shpallur jo thjeshtë si një destinim i mbramë, por më shumë si një stacion ku arritëm për të mos u ndalur.

Andaj, demonstratat e vitit 1981, janë të trashëguara në themelet dhe në shtyllat e shtetit tonë, por njëkohësisht edhe në angazhimin tonë të vazhdueshëm për më shumë e për më mirë, për çfarë historia e Kosovës padyshim që do t’i përmbajë si kapitull më vete, kurse kujtesa kolektive dhe ajo institucionale do t’i nderojë martirët, organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj.

Duke i nderuar të vrarët dhe të plagosurit në demonstratat e vitit 1981 si dhe të gjithë aktivistët e brezit ’81, midis të rënëve dhe luftëtarëve të paepur për çlirimin e Kosovës e për lirinë e popullit, ju falënderoj për vëmendje dhe pjesëmarrjen.