UNT nënshkroi memorandum me INOVA për projekte inovative dhe shkencore për integrim të studentëve në tregun e punës
Shkup, 03.04.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup u bë pjesë e një nisme të rëndësishme kombëtare për avancimin e inovacionit dhe zhvillimit shkencor, përmes nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit me Agjencinë për Inovacione, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Ndërmarrësi (INOVA), së bashku me universitetet publike në vend.
Universiteti u përfaqësua nga Rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji, i shoqëruar nga prorektorët Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela dhe Prof. Inor. Dr. Sani Demiri, duke dëshmuar angazhimin institucional për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet akademisë, industrisë dhe institucioneve publike.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në prani të përfaqësuesve të lartë institucionalë, kryeministri i vendit z. Hristijan Mickoski dhe të tjerë ku u theksua se investimi në arsim dhe shkencë përbën bazën e zhvillimit afatgjatë dhe të një ekonomie të qëndrueshme. Në këtë kontekst, u vlerësua se bashkëpunimi i strukturuar ndërmjet universiteteve dhe sektorit të inovacionit është thelbësor për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë dhe për përforcimin e kapaciteteve zhvillimore të vendit.
Memorandumi i Bashkëpunimit u nënshkrua nga rektori UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji dhe drejtoresha e Agjencisë znj. Daniella Dimovska në të cilën parashihet ndërtimi i një qasjeje të integruar, e cila synon, fuqizimin e kërkimit shkencor me orientim praktik, mbështetjen e ideve inovative dhe zhvillimin e startupeve, nxitjen e sipërmarrjes tek studentët dhe të rinjtë, përfshirjen aktive të studentëve në projekte konkrete në bashkëpunim me sektorin privat, zhvillimin e infrastrukturës dhe ekosistemit të inovacionit, zgjerimin e pjesëmarrjes në programe ndërkombëtare dhe projekte të financuara nga Bashkimi Evropian.
Ky partneritet pritet të shndërrohet në një platformë konkrete bashkëpunimi, ku dija akademike ndërthuret me nevojat e tregut, duke krijuar vlerë të shtuar për shoqërinë dhe ekonominë.
Postimi nga REKTORI FETAJI:
NËNSHKRUHET MEMORANDUM ME AGJENCIONIN INOVA PËR INOVACION DHE SHKENCË NË BASHKËPUNIM ME TREGUN E PUNËS
Së bashku me të gjithë Rektorët e universiteteve publike në vend u nënshkrua Memorandum i Bashkëpunimit me Agjencinë për Inovacione, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Ndërmarrësi (INOVA) për avancimin e inovacionit dhe zhvillimit shkencor.
Ky memorandum synon, fuqizimin e kërkimit shkencor me orientim praktik, mbështetjen e ideve inovative dhe nxitjen e sipërmarrsisë tek studentët dhe të rinjtë, përfshirjen aktive të studentëve në projekte konkrete në bashkëpunim me sektorin privat, zhvillimin e infrastrukturës dhe ekosistemit të inovacionit, zgjerimin e pjesëmarrjes në programe ndërkombëtare dhe projekte të financuara nga Bashkimi Evropian.

