MaqedoniTop Lajme

UNT pasuron bibliotekën shkencore, promovohet libri shkencat e të dhënave, nga prof. Dr. Bekim Fetaji

Shpërndaje

UNT PASURON BIBLIOTEKËN SHKENCORE, PROMOVOHET LIBRI SHKENCAT E TË DHËNAVE, NGA PROF. DR. BEKIM FETAJI

Shkup, 07.04.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup shënoi sot një moment të rëndësishëm në veprimtarinë e tij botuese dhe kërkimore-shkencore, duke organizuar me sukses promovimin e librit më të ri të rektorit, Prof. Dr. Bekim Fetaji, me titull: “Shkencat e të dhënave dhe mësimi makinerik me programim në Python”. Ky promovim mblodhi një audiencë të gjerë akademikësh, studentësh dhe përfaqësuesish të institucioneve shtetërore, duke u shndërruar në një platformë diskutimi për të ardhmen e teknologjisë dhe nevojën emergjente për literaturë profesionale në gjuhën shqipe brenda sferës së Inteligjencës Artificiale.

Në hapje të aktivitetit, autori Prof. Dr. Bekim Fetaji nënvizoi se ky libër është rezultat i një pune shtatëvjeçare në të njejtën lëndë në studime të magjistraturës, pranë, Fakuktetit të Shkencave Informatike në UNT. Ky libër synon t’i japë fund boshllëkut të literaturës teknologjike në gjuhën shqipe. Ai theksoi se përtej kodimit, qëllimi i veprës është kultivimi i aftësive për vendimmarrje të bazuara në të dhëna, duke e kthyer studentin nga një konsumator i thjeshtë në një hulumtues aktiv.
Në cilësinë e recensentit, Prof. Dr. Ivan Çorbev ish-dekan i Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike, nga UKIM vlerësoi se libri përfaqëson një kontribut strategjik, duke ndërtuar urë lidhëse mes statistikës, matematikës dhe inteligjencës artificiale. Ai theksoi se përdorimi i Python-it si platformë qendrore dhe trajtimi i bibliotekave moderne e bëjnë këtë vepër një standard të ri në letërsinë universitare.

Në të njëjtën linjë, Prof. Dr. Aleksandar Dimovski u fokusua në kompleksitetin teknik të librit, duke veçuar qartësinë me të cilën autori trajton algoritmet e avancuara, si rrjetet neurale (CNN, RNN), duke e bërë teorinë e Inteligjencës Artificiale të zbatueshme për studentët.
Nga ana tjetër, dekania e Fakultetit të Shkencave Informatike, Doc. Dr. Majlinda Axhiu, shprehu në emër të Fakultetit të Shkencave Informatike, përgëzimet më të sinqerta për Prof. Dr. Bekim Fetajin, i cili brenda pak muajsh i ka shtuar literaturës sonë akademike tre tituj të rinj, duke dëshmuar një vizion dhe produktivitet të rrallë në shërbim të shkencës. Duke u udhëhequr nga parimi se librat që mungojnë duhet t’i shkruajmë vetë, profesori ka krijuar veprën ‘Shkenca e të Dhënave dhe Mësimi Makinerik me Python’, një udhërrëfyes i domosdoshëm që i përgjigjet drejtpërdrejt sfidave të transformimit digjital dhe nevojës emergjente për literaturë cilësore në gjuhën shqipe. Ky libër, përmes një strukture logjike që gërsheton bazat e Python-it me algoritmet e avancuara të inteligjencës artificiale, shërben si një urë lidhëse e fuqishme mes teorisë universitare dhe kërkesave të industrisë moderne, duke u ofruar studentëve tanë mjetet e duhura për të qenë konkurrues në tregun global.

Evenimenti u moderua me profesionalizëm të lartë nga Doc. Dr. Arta Xhelili, e cila e udhëhoqi panelin akademik përmes diskutimeve shkencore mbi rëndësinë e kësaj vepre për arsimin e lartë në vend.

Promovimi i kësaj vepre shënon një hap të rëndësishëm në pasurimin e bibliotekës shkencore shqipe, duke e pozicionuar Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup si një partner kyç në përgatitjen e kuadrove profesionale për sfidat e ekonomisë digjitale dhe shkencës së të dhënave.