ShëndetiTop Lajme

Vaksina e re kundër kancerit: Injeksion direkt në tumor

Shpërndaje

Një vaksinë e re që injektohet drejtpërdrejt në tumor mund të rrisë ndjeshëm shanset e mbijetesës për disa nga kanceret më të vështira për t’u trajtuar.

Kjo “dozë e vetme” funksionon duke riprogramuar qelizat kancerogjene, duke i bërë ato të dukshme për sistemin imunitar. Si përgjigje, trupi çliron qeliza T – “ushtarët” që luftojnë sëmundjet – të cilat sulmojnë dhe shkatërrojnë tumorin.

Në testet mbi minj me kancer të zorrës, vaksina rezultoi 100% efektive në eliminimin e plotë të tumoreve. Edhe testet laboratorike mbi qeliza njerëzore të kancerit të gjirit dhanë rezultate të ngjashme, duke çuar në shkatërrimin e plotë të tyre.

Për dekada, trajtimi i kancerit është bazuar kryesisht në kimioterapi dhe radioterapi. Kimioterapia përdor barna të fuqishme për të ndaluar shumimin e qelizave kancerogjene, por shpesh dëmton edhe qelizat e shëndetshme, duke shkaktuar efekte anësore si të përziera, rënie flokësh dhe probleme kardiake. Radioterapia, nga ana tjetër, përdor rrezatim për të shkatërruar ADN-në e tumorit, por gjithashtu mund të shkaktojë irritim të lëkurës dhe efekte të tjera.

Në 10–15 vitet e fundit, imunoterapia ka ndryshuar ndjeshëm trajtimin e disa llojeve të kancerit. Këto barna ndihmojnë sistemin imunitar të njohë dhe sulmojë qelizat kancerogjene duke bllokuar një proteinë që ato përdorin për t’u “fshehur” – e njohur si PD-L1.

Megjithatë, këto trajtime nuk funksionojnë për të gjithë pacientët. Vetëm rreth 40% reagojnë plotësisht, ndërsa te të tjerët efekti është i përkohshëm.

Vaksina e re, e quajtur iVAC (intratumoural vaccination chimera), synon të përmirësojë këtë situatë. Ajo jo vetëm që bllokon proteinën PD-L1, por edhe ndryshon kimikisht qelizat kancerogjene, duke i bërë ato tërheqëse për qelizat T.

Kjo arrihet duke i detyruar qelizat tumorale të prodhojnë antigjene – sinjale që zakonisht gjenden në sipërfaqen e baktereve ose viruseve – të cilat i tregojnë sistemit imunitar se kemi të bëjmë me një “armik”. Kështu, sistemi imunitar mobilizohet më fuqishëm për të sulmuar tumorin.

Edhe pse qelizat kancerogjene prodhojnë antigjene natyrshëm, sinjali i tyre shpesh është i dobët. Kjo vaksinë e re e “forcon” këtë sinjal, duke rritur reagimin mbrojtës të trupit.