Dëshmitari i Prokurorisë del në favor të Grubit dhe Bajramit
Dëshmitari i Prokurorisë në rastin “Lotaria”, Vllado Petkovski, është shpallur dëshmitar armiqësor pasi në dëshminë e tij dha përgjigje që favorizojnë të akuzuarit Përparim Bajrami dhe Artan Grubi.
Petkovski, drejtor sektori për lojërat e fatit në Lotarinë Shtetërore, tha se Bajrami kishte pasur qasje proaktive dhe kishte sjellë projekte të reja.
Për paraardhësen e tij, Katica Nikollovska, ai tha se nuk kishte bërë asgjë.
Sa i përket furnizimit me aparate VLT, Petkovski deklaroi se kishte marrë pjesë personalisht në procedurë dhe se ajo nuk kishte qenë kontestuese.
Kjo deklaratë bie ndesh me tezën e Prokurorisë se furnizimi ishte i panevojshëm dhe i kishte shkaktuar dëm buxhetit prej 9.7 milionë eurosh.
Petkovski tha gjithashtu se në Lotarinë Shtetërore ishte diskutuar mundësia që ajo vetë të organizonte lojëra elektronike të fatit.
Sipas tij, para furnizimit me VLT aparate ishin përgatitur dokumente, studim fizibiliteti, hulumtim tregu, si dhe ishin marrë mendime nga Ministria e Financave dhe Qeveria.
“Qëllimi ishte që i gjithë fitimi të mbetej te Lotaria Shtetërore dhe të mos ndahej me të tjerët”, deklaroi Petkovski para gjykatës.
Pas këtyre përgjigjeve, Prokuroria hoqi dorë nga dëshmitari, por kërkoi që ai të merrej në pyetje përmes pyetjeve të kryqëzuara, ndërsa avokati i Grubit, Goce Ristevski, tha se dëshmia e konfirmon tezën e mbrojtjes.
Seancat e radhës do të vazhdojnë me dëgjimin e gjashtë dëshmitarëve të tjerë, ndërsa tetë të akuzuarit përballen me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, vepër për të cilën parashihet dënim prej një deri në pesë vjet burg.

