MaqedoniTop Lajme

Harxhime më të mëdha, fatura më e lartë! Do të vendosen tre bllok-tarifa për amvisëritë

Shpërndaje

Po shqyrtohet vendosja e tre çmimeve të ndryshme në bazë të tre bllok-tarifave, ku pritet që amvisëritë që kanë një konsum mesatar – të paguajnë çmim të njëjtë, dhe ndoshta edhe më të lirë, ndërsa ata që harxhojnë më shumë sesa mesatarja – do të paguajnë më shtrenjtë.

Maqedonia e Veriut pritet të vendosë tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se mesatarja e një amvisërie. Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë thonë se në rrjedhë e sipër janë analizat për vendosjen e sistemit të ri tarifor për shkak se shumë pak amvisëri shfrytëzojnë një të pestën e energjisë elektrike në shtet. Pritet që në fund të muajit mars të shpalosen edhe tarifat e reja, që nënkuptojnë çmim të garantuar për ata amvisëri që harxhojnë më pak, me rritjen e konsumit, do të rritet edhe çmimi i energjisë elektrike.

“Duke marrë parasysh se vetëm 1 për qind e amvisërive e shfrytëzon 20 për qind të energjisë elektrike të dedikuar për amvisëritë që çmimin relativisht të ri të rrymës e shfrytëzojnë në mënyrë jo racionale, po shqyrtohet vendosja e tre çmimeve të ndryshme në bazë të tre bllok-tarifave, ku pritet që amvisëritë që kanë një konsum mesatar të paguajnë çmim të njëjtë, dhe ndoshta edhe më të lirë”, thotë numri një i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski. Sipas tij, ato amvisëri që do të harxhojnë më shumë, do të kenë fatura më të shtrenjta të rrymës. Bislimovski gjithashtu thotë se nuk planifikohet që të anulohet tarifa e lirë prej ora 22:00 deri në mëngjes dhe tërë ditën e diel. Ndër arsyetimet për vendosjen e tarifave të reja, sipas rregullatorëve, është edhe ajo se amvisëritë që harxhojnë aq rrymë – nuk e harxhojnë atë vetëm për nevojat e amvisërisë, andaj edhe vlerësohet se nuk do të kenë problem të mbulojnë koston më të lartë të rrymës, si dhe të investojnë në kursimin dhe efikasitetin energjetik.

Në ndërkohë, Qeveria vazhdon subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike për tregun e rregulluar për amvisëri dhe konsumatorë të vegjël deri në qershor të këtij viti. Parashikohet edhe lirimi nga TVSH për gazin natyror dhe energjinë elektrike, energjinë për ngrohje apo ftohje, si dhe të prolongohet taksa ekologjike për energjinë. Gjithashtu, po subvencionohet edhe çmimi i ngrohjes. Ministria Ekonomisë ndau 1 milion euro për të ndihmua 7500 amvisëri nga rritja e rrymës elektrike. Për një vit është zvogëluar edhe TVSH prej 18 në 5 për qind për rrymën elektrike për të gjitha amvisëritë. Gjithashtu, me qëllim të amortizimit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe ngrohjes qendrore, Qeveria dy herë (në fund të vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022) ka transferuar 5.3 miliardë denarë ose gjithsej rreth 10.6 miliardë denarë për Elektranat e Maqedonisë së Veriut. Kjo rezultoi në korrigjim shumë më të vogël të çmimit të energjisë elektrike dhe termike (ngrohjes qendrore) nga vlera reale e tregut, apo çmimi është rreth 20 për qind nga ai i tregut. Janë ndërmarrë edhe më shumë masa të tjera për të zbutur rritjen e çmimeve të energjenseve.

KOMISIONI EVROPIAN, ÇKA ME ÇMIMET E LARTA TË RRYMËS

Komisioni Evropian rekomandoi të enjten që vendet anëtare të bllokut të BE-së të hyjnë në prokurimin e përbashkët të gazit, sipas shembullit të blerjes së vaksinave kundër koronës, por ende nuk ka përgjigje apo zgjidhje të sakta për problemin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Një nga opsionet e përmendura është edhe kufizimi i çmimit dhe tjetri është krijimi i një organi të kontrolluar nga shteti që do të blinte energji elektrike dhe do t’ua shiste atë konsumatorëve të caktuar nën çmimin e tregut.

Disa anëtarë kanë propozuar kufizimin e çmimeve të energjisë elektrike duke kompensuar prodhuesit për diferencën midis çmimeve të mësipërme dhe atyre të tregut. Komisioni Evropian ka premtuar të marrë në konsideratë të gjitha opsionet pasi tregjet ndryshojnë midis shteteve anëtarëve, ashtu si ndryshojnë edhe rrethanat e tregut. Për sa i përket propozimit për tavanin e çmimit, Komisioni thekson se kjo mund të ndikojë negativisht në investimet në burimet e rinovueshme. “Shumë opsione merren me simptoma, jo me shkakun që çoi në çmime të larta, kështu që veprimi evropian është i rëndësishëm kur bëhet fjalë për tregun e gazit,” tha Komisioni Evropian. (koha.mk)