Bota

Nis në Stamboll raundi i ri i bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë

Shpërndaje

Sot në Stamboll filloi raundi i ri i bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, i ndërmjetësuar nga Turqia, raporton Anadolu Agency (AA).

Bisedimet dyditore të paqes po zhvillohen në zyrën presidenciale në Pallatin Dolmabahçe.

Seanca e parë filloi në orën 10:30 me orën lokale (0730 GMT).

Negociatorët rusë dhe ukrainas mbërritën në Stamboll të hënën.

Përpara bisedimeve, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përsëriti thirrjen e tij për armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa lufta hyn në muajin e dytë.

“Besojmë se një paqe e drejtë nuk ka humbës. Zgjatja e konfliktit nuk është në dobi të askujt”, u tha Erdoğan negociatorëve rusë dhe ukrainas në metropolin turk.

Përpara bisedimeve të delegacioneve, kryetarët e delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë, David Arakhamia dhe Vladimir Medinsky, zhvilluan një takim kokë më kokë.

“Delegacionet po punojnë paralelisht në të gjithë spektrin e çështjeve të diskutueshme”, shkroi në Twitter Mykhailo Podoliak, këshilltari i presidentit Volodymyr Zelenskyy dhe kryenegociatori i Ukrainës në bisedimet e paqes me Rusinë, duke shpërndarë një foto nga takimi.

Më herët, Erdoğan tha se do të ulet me të dyja palët për një “takim të shkurtër” përpara bisedimeve të paqes.

Ai tha gjithashtu se bisedimet telefonike me homologët e tij ukrainas dhe rusë po vazhdojnë në “drejtim të favorshëm”.

Deri më tani në Bjellorusi janë mbajtur disa raunde bisedimesh midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërkaq bisedimet e fundit ishin në format të video-konferencës më 14 mars, pa dhënë ende asnjë rezultat konkret.

Turqia doli në ballinë në mbarë botën më 10 mars për pritjen e ministrave të jashtëm rus dhe ukrainas në qytetin jugor Antalya, takimi i nivelit më të lartë të të dy palëve që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Edhe pse palët nuk arritën marrëveshje për një armëpushim, ata ranë dakord të vazhdonin negociatat mbi konfliktin.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është pritur me zemërim ndërkombëtar, ndërsa Bashkimin Evropian, SHBA-të dhe Britania e Madhe, ndër të tjera, kanë vendosur sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.