Haxhiu: Tarifat e përmbaruesve privat ulen me rreth 40 për qind
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka nënshkruar sot udhëzimin administrativ për uljen me rreth 40% tarifave të përmbaruesve privatë, të cilat kanë qenë më të lartat krahasuar me vendet e rajonit.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se kjo ulje e tarifave është në shërbim të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre të vazhdueshme lidhur me këto tarifa.
“Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, do t’i kemi tarifat e reja ku qytetarët nuk do të ngarkohen me tarifa të larta por të përballueshme. Po ashtu sipas këtij udhëzimi, do të mundësohet lirimi nga pagesa fillestare për kreditorët me gjendje të vështirë ekonomike”, ka shkruar Haxhiu.
“Po ashtu, me hyrjen ne fuqi të Ligjit për procedurën përmbarimore, nuk do të mund të ekzekutohen skemat sociale, pensionet deri në vlerën e pagës minimale dhe as shtesat që përfitohen nga pakoja e Qeverisë”, ka shtuar ajo.