Rajoni

Djali i Ukshin Hotit: Disa persona nga Serbia më kërkuan 200 mijë euro për të ma gjetur të gjallë babanë

Shpërndaje

I biri i veprimtarit Ukshin Hoti, Andini, njëherësh edhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka rrëfyer se si i janë kërkuar 200 mijë euro për t’ia gjetur babanë të gjallë.

Ai ka deklaruar se persona nga Serbia e kishin kontaktuar në vitin 2020, duke i kërkuar kështu 200 mijë euro për t’i gjetur babanë e gjallë.

Hoti ka deklaruar se ka grupe kriminale në Serbi që kërkojnë para, duke mashtruar për informacione për të pagjeturit.

“Më ka ndodhur edhe mua. U ndodh shumë familjarëve të tjerë në Kosovë, sidomos moshave të shtyra, nanave e baballarëve që janë në moshë të shtyrë. Ende sot i thërrasin në telefon, tentojnë me forma të tjera…u kanë kërkuar shuma të mëdha parash. Mua më ka ndodhur më 2020, kur në RTK ishte një lajm kinse Ukshin Hoti, mund të jetë i varrosur në Lubeniq. Përmes Universitetit të Prizrenit më ka kontaktuar dikush prej Serbisë, e fillimisht 200 mijë euro e pastaj 400 mijë euro e kështu me radhë, për me na e dorëzuar të gjallë”, tha Hoti në T7.

Kujtojmë se sot është Dita e të Zhdukurve të Kosovës, ku në vendin tonë janë ende 1617 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, e që ende nuk dihet për fatin e tyre.