Meta fton shqiptarët ta votojnë Shaip Kamberin
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka ftuar shqiptarët që të votojnë nesër për kandidatin për deputet në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi në zgjedhjet e përsëritura në Tërnoc.
Përmes një shkrimi në Facebook, Meta ka thënë se Kamberit, si kandidat i vetëm për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për siç ka shkruar ai, të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes për herë të tretë të votimit.
Postimi:
Nesër, më 27 maj, Shaip Kamberi dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, për herë të tretë kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në sigurimin e një vendi në Parlamentin e Serbisë.
Si kandidat i vetëm për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes për herë të tretë të votimit.
Ftoj të gjithë votuesit shqiptarë në këtë qendër votimi, që nesër masivisht t’u drejtohen kutive të votimit e të mbështesin Shaip Kamberin dhe “Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë”.