RajoniTop Lajme

Scholz: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kancelarin gjerman, Olaf Scholz, i cili qëndron për vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit të kryeministrit Kurti dhe kancelarit Scholz i cili zgjati rreth një orë në Qeverinë e Kosovës, të dy folën në një konferencë të përbashkët për media.

Kryeministri Kurti tha se kancelarin gjerman e ka siguruar se përkundër rrethanave të vështira qeveria e Kosovës po bën reforma.

Kurti tha se në takim me Scholz ka kërkuar mbështetje nga Gjermania në rrugën e anëtarësimit në institucionet e Bashkimit Evropian (BE).

“E sigurova kancelarin se në përputhje me premtimet dhe perspektivën evropiane po punojmë për përmbushjen e reformave të nevojshme për integrim në Bashkimin Evropian. Kërkesa për mbështetje nga Gjermania për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ka hasur në mirëkuptim të plotë, do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti”, theksoi Kurti.

Sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Kurti tha se Kosova është treguar palë kreative, konstruktive dhe e përkushtuar, por “Serbia po vazhdon të bllokojë zgjidhjet që po ofron Kosova mbi Marrëveshjet e Berlinit, sikurse rasti i targave të automjeteve”.

Tutje, kryeministri kosovar tha se Procesi i Berlinit është mundësia më e mirë e bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për këtë presin me padurim ri-jetësimin e tij nën udhëheqjen e kancelarit Scholz.

Kancelari gjerman tha se vizita në muajin maj në Gjermani e kryeministrit Kurti dhe tani vizita e tij në Kosovë tregojnë “se sa të ngushta janë marrëdhëniet midis dy vendeve”.

Scholz në takim me Kurtin tha se biseduan për një sërë çështjesh, pa përjashtuar edhe liberalizimin e vizave për kosovarët, për të cilën tha se po punojnë që t’i bindin edhe partnerët e BE-së për ta mbështetur këtë proces.

Duke folur për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe ndërmjetësimin e BE-së, Scholz tha se me rëndësi për Kosovën është që ky proces të çohet përpara dhe përfundimi i tij të jetë me njohje të ndërsjellë.

“Dialogu është rruga e cila i hapë Kosovës edhe perspektivën e mëtejme evropiane. Një qëndrim konstruktiv në këtë dialog është në interes të të gjithë qytetarëve këtu në Kosovë. Një marrëveshje politike midis dy vendeve është kusht i rëndësishëm për investimet dhe vende pune dhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë. E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës sepse është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”, tha Scholz, duke lutur të dyja palët për një zotim të qartë për dialogun.

Sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”, Scholz tha se Gjermania i jep prioritet të madh tregut rajonal ndërsa theksoi se “është e rëndësishme që të arrihen përparime që janë të arritshme”.

Gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë, kancelari gjerman do të vizitojë edhe kontingjentin gjerman të trupave të KFOR-it në Prishtinë.

Kosova është destinacioni i parë i vizitës së kancelarit Scholz në rajon. Pasdite ai do të udhëtojë drejt Beogradit.