Bekteshi: Ligj i ri për mbrojtjen e konsumatorit – me gjoba deri në 10.000 euro…
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot në një konferencë për media informoi se me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria sot ka miratuar propozim- Ligjin e ri për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Në vazhdim ju përcjellim fjalimin e ministrit nga kjo konferencë për media:
„Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria sot miratoi propozim Ligjin e ri për mbrojtjen e konsumatorëve
Qëllimi kryesor i politikës për mbrojtjen e konsumatorëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut është që të përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve dhe, në përputhje me qëllimin strategjik të BE-së të sigurojë që të gjithë qytetarët të gëzojnë standarde të larta të mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe mbrojtje të interesave të pjesëmarrësve më të dobët ekonomikisht, respektivisht kategorive të rrezikuara të qytetarëve në transaksionet afariste në treg.
Si rezultat i analizës së tregut lindi nevoja për krijimin e kornizës moderne ligjore përmes Ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorëve.
Me këtë Ligj, nga njëra anë, sigurohet nivel i lartë i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve, e në të njëjtën kohë garantohen kushte më të lehta për punë afariste.
Me këtë Ligj, i cili është i harmonizuar tërësisht me rregullativën evropiane, rregullohen të drejtat dhe detyrimet e konsumatorëve dhe tregtarëve në marrëdhëniet konsumatore, mënyrat dhe procedurat për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, informimi i konsumatorëve, avancimi i njohurive të konsumatorëve për të drejtat e tyre dhe mënyrat dhe procedurat për mbrojtjen e tyre, të drejtat dhe detyrimet e shoqatave për mbrojtjen e konsumatorëve, të drejtat dhe detyrimet e organeve kompetente.
Me zgjidhjen e re ligjore mundësohet realizim më i mirë i të drejtave të konsumatorëve përmes mbikëqyrjes efektive të tregut, informimit më të mirë dhe edukimit të konsumatorëve për të drejtat e tyre, forcimit të pavarësisë dhe përfaqësimit të shoqatave për mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimit të instumenteve për zgjidhjen e shpejtë të kontesteve konsumatore.
Ajo që është risi dhe kryesore në këtë zgjidhje të re ligjore është se vendosen, respektivisht u kushtohet vëmendje e veçantë parktikave tw padrejta tw tregtare, praktikave mashtruese dhe praktikave agresive tregtare gjatë shitjes së mallrave dhe shërbimeve, duke përfshirë edhe patundshmëritë, shërbimet digjitale dhe përmbajtjet digjitale, si dhe të drejtat dhe detyrimet.
Një praktikë tregtare është e padrejtw, nëse në aspektin material e dëmton interesin ekonomik dhe sjelljen e konsumatorit mesatar në raport me produktin, veçanërisht atyre që janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj produktit të interesit për shkak të pafuqisë së tyre mentale ose fizike, moshës, në mënyrë që është e parashikueshme nga tregtari, kur tregtari jep informacione të pasakta për kushtet e tregut ose për qasjen deri te malli me qëllim që të shtyjë konsumatorin ta blejë mallin me kushte që janë më të pavolitshme sesa kushtet e zakonshme të tregut.
Një praktikë e caktuar tregtare konsiderohet mashtruese, nëse përmban informacione të rrejshme dhe për shkak të kësaj është e pavërtetë, e mashtron konsumatorin mesatar, madje edhe kur informacionet faktikisht janë të sakta, në çfarëdo rasti shkaktojnë ose ka mundësi të nxisin konsumatorin mesatar për të marrë vendim të tregut që përndryshe nuk do ta kishte marrë.
Praktika e caktuar tregtare konsiderohet agresive nëse përmes shqetësimit, detyrimit, duke përfshirë edhe përdorimin e forcës fizike ose ndikimit të tepërt, dukshëm e cenon lirinë e zgjedhjes së konsumatorit mesatar ose veprimin e tij lidhur me mallin dhe në këtë mënyrë e shtyn konsumatorin mesatar ose ka gjasa që ta shtyjë të marrë vendim të tregut që përndryshe nuk do ta kishte marrë.
Konsumatorët të drejtat e të cilve janë shkelur me përdorimin e praktikave të padrejta tregtare, praktikave mashtruese dhe agresive tregtare nga tregtari kanë të drejtën e kompensimit të dëmit që e kanë pësuar, kanë të drejtën e uljes proporcionale të çmimit dhe ndërprerje të kontratës, derisa për tregtarë vijojnë gjoba, sanksione dhe ndalim për ushtrimin e veprimtarisë.
– Për shkeljen e dispozitave nga ky Ligj janë parashikuar edhe gjoba edhe atë:
– Për mikro tregtarë gjobë në vlerë prej 500 dero 1.000 euro, ndërsa 150 euro për personin përgjegjës;
– Për tregtar të vogël gjobë në vlerë prej 1.000 deri 2.000 euro, ndërsa 250 euro për personin përgjegjës;
– Për tregtar të mesëm gjobë në vlerë prej 2.000 deri 5.000 euro, ndërsa 350 euro për personin përgjegjës;
– Për tregtarët e mëdhenj gjobë në vlerë prej 5.000 deri 10.000 euro, ndërsa 500 euro për personin përgjegjës;
– Gjobë në vlerë prej 50 euro me kundërvlerë në denarë do t’i shqiptohet personit fizik, respektivisht tregtarit- individ për kundërvajtjen.
Në pjesën e sanksioneve kundërvajtëse është parashikuar edhe ndalim i përkohshëm për ushtrimin e veprimtarisë edhe atë në kohëzgjatje prej tre muajve deri në dy vite, nga gjykata kompetente për tregtar të mesëm dhe të tregtar të madh, dhe prej 15 deri 30 ditë për mikro tregtar dhe tregtar të vogël, nga Komisioni për vendimmarrje ndaj kundërvajtjes.
Nga ana tjetër, për personat përgjegjës te personat juridikë është parashikuar ndalim për ushtrimin e profesionit, veprimtarisë ose detyrës në kohëzgjatje prej tre muajve deri në një vit, nga gjykata kompetente, ndërsa te tregtari-individ në kohëzgjatje prej 15 deri 30 ditë, nga Komisioni për vendimmarrje ndaj kundërvajtjes.
Krahas Ligjit të ri për konsumatorë që sot u miratua nga Qeveria, po ashtu, dua të informoj se sot me propozim të Ministrisë së Ekonomisë nga Qeveria është miratuar informacioni për të përpiluar ligj të ri të veçantë Ligjin pwr praktika jokorrekte tregtare me të cilin do të transponohen tërësisht direktivat për praktika jokorrekte tregtare në marrëdhëniet biznis-to-biznis në zinxhirin e furnizimit me produkte bujqësore dhe ushqimore në ligj kombëtar në mënyrë që të rregullohet gjendja nga shfaqja e disbalancit në fuqinë e negocimit mes furnizuesve dhe blerësve të produkteve bujqësore dhe ushqimore.
Në direktivën e cila do të jetë tërësisht e transponuar te ne bëhet e ditur se disbalanci në fuqin e negocimit shpie drejt praktikave jokorrekte tregtare kur partnerët më të mëdhenj dhe më të fuqishëm tregtar përpiqen të imponojnë praktika të caktuara ose aranzhime kontraktuese që janë në favorin e tyre në raport me transaksionin e shitjes.
Me këtë Ligj të ri do të harmonizohen tërësisht dhe do të përcaktohen marrëdhëniet mes tregtarëve me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve.
Deri tani kjo direktivë nuk është transponuar në asnjë vend të rajonit, respektivisht vendet e Ballkanit Perëndimor, me ç’rast Republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë vendi i parë që do të vendosë praktikë ligjore ndaj praktikave jokorrekte tregtare.“