Kamberi: 9 kërkesa konkrete për qeverinë e re të Serbisë
9 KËRKESAT KONKRETE PËR QEVERINË E RE TË SERBISË
Sot, në takimin me Presidentin e Serbisë, në kuadër të konsultimeve të tij për mandatin e Qeverisë së re, në emër dhe si përfaqësues të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, të përbërë nga Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike dhe Lëvizja për Progres Demokratik, kemi dorëzuar 9 kërkesa konkrete:
1. Zbatim i afatizuar i Planit 7 pikësh, miratuar nga Qeveria e Serbisë më 2013.
2. Ndërprerje e procesit të pasivizimit dhe krijim i një Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e deritanishëm, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shumicës parlamentare, opozitës, deputetit nga Lugina e Preshevës, shoqërisë civile; si dhe më lehtësimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
3. Krijim i një Fondi të veçantë Zhvillimor për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si dhe dyfishim i buxhetit të Trupit Koordinues për projekte kapitale dhe subvencionimin e sektorit privat, sikurse sjelljen e investitorëve të huaj.
4. Afatizim për zbatimin e Marrëveshjes për njohjen e diplomave me Kosovën, të arritura në Bruksel më 2011 dhe 2016.
5. Sanksionim ligjor të përdorimit të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, sidomos përdorimit të termit ofendues “Šiptar”.
6. Intensifikim i dialogut midis Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe të zgjedhurve të Luginës së Preshevës, me lehtësimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian dhe me mbikëqyrjen e ambasadorëve të akredituar në Beograd, pjesë e grupit “Miqtë e Luginës”.
7. Ndryshim dhe plotësim i Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave Kombëtare, përfshirë nenin 16 al. 2 për përdorimin e simboleve kombëtare.
8. Krijim i një Komisioni Vlerësues Parlamentar të zbatimit “Marrëveshjes së Konçulit”, të miratuar nga Qeveria e Serbisë më 2001, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shumicës parlamentare, opozitës, deputetit nga Lugina e Preshevës, shoqërisë civile, si dhe më lehtësimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
9. Realizim i afatizuar të Marrëveshjes për riorganizimin e Trupit Koordinues nga 2009.
Lugina e Preshevës ka nevojë para së gjithash dhe njëherësh për zgjidhje politike, jo për poste qeveritare pa ndikim për interesin e përgjithshëm.