Maqedoni

Sela: Kur të hapet Kushtetuta kemi kushtet tona për ta dhënë votën

Shpërndaje

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, subjekti politik i të cilit është në opozitë, ka theksuar se miratimi i propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka qenë një moment tepër i rëndësishëm për vendin.

“Është e vërtetë se ne Aleanca për Shqiptarët si opozitë e përkrahem marrëveshjen e ashtu quajtur propozimi francez. Natyrisht që ky ishte një moment i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, por jo vetëm, duke pasur parasysh që paralelisht kushtëzohej hapja e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. Më është dukur e pakuptimtë që duhet të shkojmë në mënyrë paralele për shkak se mendoj që kryeministri i Shqipërisë e ka për obligim që t’i çojë shqiptarët në Bashkimin Evropianë sa më shpejtë, por sidoqoftë hapja e këtij rrugëtimi është një moment i rëndësishëm politik”, ka theksuar Sela në ‘RTK Prime’.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut ditën e shtunë ishte para dilemës nëse do të vazhdojë rrugëtimi drejt BE-së duke e votuar rezolutën që e solli parlamenti ose të ndërpresë bisedimet me fqinjin – Bullgarinë.

Ai ka thënë se pa votën e subjektit të tij kjo marrëveshje nuk do të mund të miratohej.

“E para e punës opinioni ta ketë të qartë se nuk u votua për ndryshimet kushtetuese, por thjesht është votuar një rezolutë që të vazhojë rrugëtimi drejt BE-së dhe negociatat me Bullagarinë. Si rrjedhojë e kësaj rezolute është nënshkruar edhe protokolli i dy ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe natyrisht pasojnë edhe hapat e tjerë për t’u zbatuar komplet plani francez i cili parasheh zgjedhjen e kontestit që kanë Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, por që ka të bëjë kryesisht me bashkësinë etnike maqedonase, ëështje identitare, gjuhësore etj”, ka nënvizuar Sela.

Sipas tij opinioni shqiptar ka keqkuptuar që ky subjekt nuk ka nxjerrë në tryezë tema të tjera. “Ne e kemi thënë zëshëm se kur hapet kushtetuta, Aleanca për Shqiptare ka kushte për t’i dhënë votat e veta për ndryshimet kushtetuese: njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë shqipe me kushtetutë dhe që nënkupton futjen e shqiptarëve në pjesët normative dhe jo me këtë definicionin që e kemi tani, ku është gjuha që e flasin më shumë se 20 përqind e popullatës dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja. Por, ka edhe çështje tjera që do t’i paraqesim”, është shprehur Sela.