Nga sot çmimi i derivateve s’përcaktohet nga Ministria e Tregtisë
Sot ka përfunduar afati 30-ditor i udhëzimit administrativ, të cilën e kishte nxjerrë Qeveria për të caktuar çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve në Kosovë.
Si rrjedhojë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për 30 ditë kishte përcaktuar çmimin tavan për çdo 24 orë, transmeton Zeri.info.
Ministria ka thënë se ky udhëzim prioritet ka mbrojtjen e konsumatorit dhe mbështetjen e bizneseve vendore përmes rregullimit të tregut dhe se me masat dhe veprimet e ndërmarra kundrejt rritjes së çmimeve në sektorin e naftës ka dhënë efekte të menjëhershme dhe rezultate pozitive për qytetarët tanë.
“Prandaj, masat në vijim për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse do të merren sipas evidencës së inspektimeve me gjetje nga Inspektorati i Tregut në nivel qendror dhe komunal në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe në komunikim e konsultim të afërt me Doganën e Kosovës, Autoritetin e Konkurrencës, Shoqatën e Naftëtarëve dhe bizneset individuale të naftës dhe me konsumatorët”, thuhet në një postim nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë.