Gjukanoviq e kërcënon Abazoviqin: Bie qeveria nëse e nënshkruan marrëveshjen për Kishën Serbe
Presidenti i Malit të Zi ka paralajmëruar kryeministrin e shtetit, Dritan Abazoviq se mund t’i rrëzohet qeveria e tij e pakicës, nëse nënshkruan Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Gjukanoviq, duke folur për tekstin e marrëveshjes, ka thënë se ajo përmban pjesë që “falsifikojnë historinë e Malit të Zi”, transmeton Gazeta Express.
Ai ka thënë se marrëveshja do të ishte e pranueshme për nënshkrim nëse nuk do të kishte interpretime të historisë.
Presidenti Gjukanoviq ka thënë se inicimin e rrëzimit të Qeverisë Abazoviq do ta bëjë këtë të dielë, nëse jetësohet marrëveshja.
Ai ka folur në një intervistë për N1, ku ka deklaruar se paralajmërimet për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë, nuk kanë qenë befasi për të.
“Z. Abazoviq vendosi krejt papritur të riformulojë prioritetet e agjendës së qeverisë, në mënyrë që në vend të përmbushjes së kapitujve 23 dhe 24 të negociatave, të vinte në plan të parë nënshkrimin e kontratave për çështje me interes të përbashkët për Qeverinë e Malit të Zi dhe Kishën Serbe. Ai vendosi të mos pranojë një proces më gjithëpërfshirës para se qeveria të marrë një vendim… Gjithçka që është bërë në atë plan është bërë shumë ngathët”, ka thënë Gjukanoviq.