Rritet në 32 numri i të vdekurve në Rripin e Gazës të sulmuar nga Izraeli
Është rritur në 32 numri i personave që kanë humbur jetën në Gazën nën bllokadë në të cilën Izraeli kryen sulme që nga 5 gushti, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë së Palestinës jepen informacione lidhur me jetët e humbura për shkak të sulmeve të Izraelit kundër Gazës.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se në sulmet e ndërmarra që nga 5 gushti kanë humbur jetën 32 persona, përfshirë 6 fëmijë dhe 4 gra.
Po ashtu ndahet informacioni se numri i të plagosurve është rritur në 253 por që nuk janë dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të të plagosurve.
– “Izraeli godet civilët qëllimisht”
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra në një deklaratë për media ka tërhequr vëmendjen se shërbimet shëndetësore ndodhen nën kërcënim, se ka probleme për ilaçe dhe produkte mjekësore. Ai theksoi se Izraeli vendos civilët në objektiv qëllimisht.
Al-Qudra tha se sistemi shëndetësor ka pësuar dëme të mëdha për shkak të bllokadës izraelite që vazhdon prej shumë vitesh kundër rajonit dhe se situata është përkeqësuar edhe më tej bashkë me sulmet e fundit.
Edhe sot vazhdojnë sulmet që ushtria izraelite filloi më 5 gusht kundër Rripit të Gazës me arsyetimin se do të vendoste në objektiv pikat që i përkasin Xhihadit Islamik.
Në një deklaratë më parë nga Ministria palestineze e Shëndetësisë ishte theksuar se në sulmet e Izraelit kundër Gazës humbën jetën 24 persona, përfshirë 6 fëmijë dhe dy gra ndërsa ishin plagosur 203 civilë.