MaqedoniTop Lajme

Komuna Eyüpsultan mbështet me rrjet ujësjellësi Komunën e Haraçinës

Shpërndaje

Në Komunën e Haraçinës të Maqedonisë së Veriut u bë përurimi i rrjetit të ujësjellësit me ndihmën e Komunës Eyüpsultan të Istanbul-it, raporton Anadolu Agency (AA).

Në programin e zhvilluar para ndërtesës së Komunës së Haraçinës, morën pjesë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve, Artan Grubi, kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi, kryetari i Komunës Eyüpsultan, Deniz Köken dhe delegacioni që e shoqëron, si dhe kryetari i Partisë AK për qarkun Eyüp, Muhammet Vanlıoğlu, deputetë, anëtarë të këshillave bashkiakë të dy komunave, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe të ftuar.

Grubi në një fjalim të mbajtur këtu, tha se është i lumtur që ndodhet në Haraçinë dhe se Komuna e Haraçinës u rilind me ardhjen e kryetarit Ridvan Ibraimi në krye të komunës.

Ai tha se për më pak se një vit mandat, edhe me ndihmën e qeverisë arriti të themelojë shkollën fillore, të zgjidhë problemin me kanalin në Haraçinë dhe për një kohë rekord arriti të zgjidhë edhe problemin me energjinë elektrike. “Dua të falënderoj edhe kryetarin e Komunës Eyüpsultan z. Köken për ndihmën e dhënë, për donacionin e dhënë. Dhe ta falënderoj shumë atë edhe shtetin turk për gjithë bashkëpunimin të cilin e ka me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe i cili është absolutisht shembullor”, theksoi Grubi.

Kryetari i Komunës Eyüpsultan, Deniz Köken tha se “Ky investim nuk është një investim i zakonshëm. Më shqetësoi kur i nderuari kryetar i komunës ma shpjegoi këtë problem gjatë vizitës së tij dhe po ashtu më shqetësoi që kjo çështje nuk ishte zgjidhur deri më tani”.

“Si komunë kemi zhvilluar mbi 80 punime për parqe dhe shtëpi për ceremoni mortore prej të cilave 30 në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Haraçinë në Türkiye dhe në të gjithë gjeografinë e Ballkanit”, tha ai.

Kreu i Komunës së Haraçinës, Ibraimi shprehu falënderimet për pjesëmarrësit në këtë aktivitet të rëndësishëm për banorët e komunës.

“Ky projekt simbolizon realizimin e ëndrrave”, tha Ibrahimi duke shtuar se banorët e Komunës së Haraçinës janë përballur me dekada me radhë me problemin e ujit, gjë e cila i ka detyruar të kërkojnë zgjidhje të përkohshme.

“Por, ky projekt i rëndësishëm do të ishte i pamundur pa mbështetjen e kryetarit të komunës Eyüpsultan. Shfrytëzoj rastin që në emrin tim, në emrin e ekipit tim dhe në emër të banorëve të Komunës së Haraçinës, t‘i shpreh kryetarit të Komunës së Eyüpsultan mirënjohjet e mia të veçanta për mbështetjen e parezervë që ia dhanë Komunës së Haraçinës për zgjidhjen e kësaj çështje vitale për ne. U siguroj se sa herë që të përmendet uji në Komunën e Haraçinës, po aq do të përmendeni edhe juve. Ju çdo herë do të jeni në kujtimet dhe lutjet tona”, tha Ibraimi.

Kryetari i Partisë AK për qarkun Eyüp, Muhammet Vanlıoğlu tha se vijnë nga Eyüpsultan, ‘kryeqyteti shpirtëror i Istanbul-it’ dhe pasi shtoi se me Ballkanin gjithmonë kanë qenë vëllezër ai uroi që kjo vëllazëri që vjen që nga Osmanët të vazhdojë deri në një kohë të mëpasshme.

Pasi rikujtoi se në vitet e 90-ta edhe në Istanbul kanë përjetuar probleme të ngjashme, Vanlıoğlu tha: “Në Istanbul erdhi një lider, emri i tij është Recep Tayyip Erdoğan. Deri më sot të gjitha këto çështje, probleme që folëm, i kemi zgjidhur me një përkushtim të madh me mbështetjen e tij dhe shokëve bashkudhëtarë të tij”.

Kreu i Shoqatës Brezalılar të Shkupit në Istanbul, Mustafa Zeki falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për projektin. “Rroftë vëllazëria turko-shqiptare”, tha ai.

Pas fjalimeve u ndanë pllakata dhe dhurata ndërsa me lutje u bë përurimi i çezmës së vendosur në mënyrë simbolike përpara komunës.

Si rezultat i bisedimeve të zhvilluara mes dy komunave, një ekip mbërriti në Maqedoninë e Veriut dhe kreu analizat për punimet e nevojshme. Në kuadër të këtyre analizave filloi montimi pasi u siguruan 2 pompa uji, 2 motopompa uji, 4 panele elektrike dhe kabllo elektrik për motopompë për burim nëntokësor 200 metra.