MaqedoniTop Lajme

ASH pjesë e qeverisë? Taravari: Nëse ka ofertë e shqyrtojmë

Shpërndaje

Nëse na vjen një ofertë për të hyrë në koalicion qeveritar, do ta shqyrtojmë. Këtë qëndrim e ka bërë të ditur sot ushtruesi i detyrës së kryetarit të partisë politike Aleanca për Shqiptarët, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se mund të hyjë ASH në pushtetin ekzekutiv dhe me çfarë kushtesh do të pranonin.

“Nuk kemi biesduar për diçka të atillë, ne jemi fokusuar tash në riorganizimin e partisë. Më shumë jemi në terren duke biseduar, duke dëgjuar aktivistët dhe ato të cilët janë simpatizues të ASH-së. Temën për kushtëzime nuk e kemi biseduar për të hy apo për të dalë, ne nuk kemi qenë në qeveri, as që e kemi menduar. Por, do shohim, do ta shqyrtojmë nëse ka ofertë të atillë, por tash për tash nuk ka gjë të tillë”, deklaroi u.d. kryetar i ASH-së, Arben Taravari.

Kohë më parë pjesë e qeverisë u bë Alternativa e Afrim Gashit e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte në koalicion me ASH-në. Ata ia bashkangjitën shumicës parlamentare me katër deputetë menjëher me marrjen e mandatit nga kryeministri aktual Kovaçevski, ndërsa Lëvizja Besa paraprakisht nga qeveria kishte kaluar në opozitë.

U.D. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe Kryetar i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari sot priti në takim ambasadorin e Republikës së Kosovës, shkëlqesinë e tij, Florian Qehaja me të cilin bashkëbiseduan mbi momentumin politik në të cilën ndodhet rajoni, rëndësinë e ruajtjes së orientimit properëndimor të vendeve tona dhe përgjegjësitë e së ardhmes evropiane.

Në takim po ashtu u theksua se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës duhet të bashkëpunojnë ngushtë në eliminimin e çdo pengese burokratike në fushën politike, kulturore, ekonomike, tregtare dhe të gjitha sferat tjera të jetës për mirëqenien e qytetarëve tanë.

Po ashtu u bisedua mbi zhvillimin e komunave në të dyja vendet përmes këmbimit ekonomik, rritjen e kapitalit njerëzor dhe vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet komunave tona, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit për zhvillimin e tyre.