MaqedoniTop Lajme

Rektori Izet Zeqiri refuzon të përgjigjet! Deri ku janë punët për objektin e Universitetit “Nënë Tereza”? (Video)

Shpërndaje

Nga tre dhe katër studentë në një bankë. Kjo është një nga hapësirat ku studentët e Universitetit “Nënë Tereza” mbajnë ligjërata. Në procedurë është ndërtimi i një objekti të ri në kazermën “Ilinden”, por deri ku janë punët dhe kur do të përfundojnë nuk arritëm ta marrim vesh. Rektori i këtij universitetit Izet Zeqiri refuzoi të përgjigjet në pyetjen e TV21.

Gazetarja: Deri ku janë punët për objektin e universitetit?

Rektori: Do të futemi brenda, urdhëroni atje…

Rektori: Ndani kohë pak për mediat.

E pyetëm edhe Ministrin e Arsimit, Jeton Shaqiri, mirëpo as ky nuk kishte informacione.

Ministër a e dini se deri ku janë punët për objektin e ri të këtij universiteti, sepse rektori iku?

“Atë që kemi realizuar deri tani si ministër me vendim qeverie, kemi dhënë objektet, kemi përshtatur projektin që ka kaluar. Tani procedurat se si i ka universiteti nuk i di për momentin”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

As studentët nuk kishin informacione se kur do të bëhen me amfiteatro të reja. Thonë se do të ishte mirë të kishin kushte të mira për mësim, mirëpo edhe në hapësirat aktuale nuk janë keq.

Ndryshe që në vitin 2016 u tha se toka në kazermën “Ilinden” është caktuar që të jetë në shërbim të këtij universiteti. Në prill të këtij viti gjatë marrjes së detyrës rektor, Zeqiri deklaroi se prioritet është që kazerma “Ilinden” të bëhet universitet i “Nënë Terezës”. Përndryshe studentët ligjëratat i mbajnë në hapësirat e ndërtesës së Lidhjes së Sindikatave dhe në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” më Shkup.

VIDEO: