Maqedoni

ASH-ja Mickoskit: Të mos krijojmë amalgame me Balanserin dhe Badenterin!

Shpërndaje

Formulimi “gjuha që e flasin 20% e popullsisë” nuk ka të bëjë me politika ditore, por me një definicion fyes të gjuhës shqipe që urgjentisht duhet të hiqet – reagojnë nga Aleanca për Shqiptarët pas deklaratës së Miskoskit.

Kjo do të rrisë kohezionin e brendshëm shoqëror dhe ndëretnik dhe do të bëjë Maqedoninë e Veriut edhe më të mirë, edhe më të fortë dhe vend që përqafon vlerat evropiane të diversitetit gjuhësor dhe kulturor.

“Për ne, është njësoj fyese kur gjuhës së bashkëqytetarëve tanë i referohen si gjuha maqedonasoveriore apo sllavomaqedone, e ndonjëherë edhe ndryshe. Andaj, problemin e 20 përqindëshit z. Mickoski dhe të tjerët, duhet që njëherë e përgjithmonë ta kuptojnë drejtë, duke u nisur nga vetëvetja dhe assesi të ngatërrojnë opinioni duke krijuar amalgame me Balanserin, i cili është mjet planifikimi për punësime në sektorin publik për të arritur obligimin kushtetues për përfaqësim adekuat të bashkësive” – thuhet në reagimin e ASH-së.

Nga kjo parti vlerësojnë se Badenteri apo i ashtuquajturi votim i dyfishtë është standard evropian për ruajtje të paqes dhe stabilitetit që u vendos në republikat e ish bllokut komunisit pas tragjedive të mëdha siç ishin luftërat në ish Jugosllavi. Ky mekanizëm mban emrin e ideatorit të tij, Robert Badenter, ish ministri i drejtësisë dhe ish kryetari i gjykatës kushtetuese të Francës, apo fanari i iluminizmit dhe demokracisë evropiane.

Qëndri i Aleancës është se çdo shkelje e këtij mekanizmi të demokracisë konsociative do të ishte retrograd dhe do të sillte pasoja që askush nga ne nuk do t’i dëshironte. Nëse ky votim i dyfishtë për dikë është “problematik”, duhet të kihet parasysh se shumë shtete të ngjashme me tonin e kanë rregulluar këtë çështje me parlament dydhomësh, gjë që do duhej të vendosej në tavolinë nëse hapet një debat i tillë në të ardhmën.

Nga kjo parti hedhin poshtë çdo kushtëzim i cili i luhat themelet e shtetit, të ndërtuar mbi parimet e demokracisë konsociative. “Kushtëzimet e tilla nuk mund të konsiderohen ndryshe përveç se si politikë ditore për përdorim brendapartiak, për të ruajtur karrigen përballë sfidave që janë përtej Maqedonisë së Veriut dhe Evropës” – thuhet në kumtesë.