MaqedoniTop Lajme

Ahmeti nuk e jep Grubin nga kabineti i tij

Shpërndaje

Funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar të BDI-së u paraqitën në selinë e partisë në Reçicë të Vogël në mbledhjen e llogaridhënies të thirrur nga kreu i partisë, Ali Ahmeti. Ky i fundit tha se i kontestuari nga grupi i zjarrit, Artan Grubi mbetet shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së, shkruan Alsat.

“Nuk ka grup zjarri ashtu siç pretendoni ju. Gjithçka është në situatë normale. Do të ketë debat. Kjo e gjitha. A do të mbetet Artan Grubi shef i kabinetit? Po, po”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Por grupi i zjarrit, i sistemuar tashmë në organet e partisë deklarohet i palëkundur nga kërkesat e tyre. Nënkryetari Izet Mexhiti, para takimit kujtoi edhe njëherë emrin e Artan Grubit.

“Neve edhe në letër e kemi theksuar me emër e mbiemër, për jo efikasitet, për jo realizimin e programit, pra emri i Grubit”, u shpreh Izet Mexhiti, Nënkryetar i BDI-së,

Por, Grubi iu përgjigj me ironi pyetjes nëse pret që sot partia ta shkarkon nga posti i zëvendëskryeministrit të parë.

“Ditë e bukur shumë, me diell. Ditë e bukur edhe për BDI-në edhe për qytetarët”, tha Artan Grubi, Anëtarë i Kryesisë.

Musa Xhaferi u pyet se kush do të qesh i fundit. Duke lavdëruar performancat e dikasterit të Jashtëm, Xhaferi kërkoi edhe një javë afat.

“Pas një jave ata që fitojnë do të qeshin. Varet nga debati. Ne mendojmë se performanca është e dobët, përveç që Maqedonia në politikë të jashtme ka pasur sukses sepse është hapur rruga për integrim dhe jemi anëtarë e plotë e NATO-s. Kurse resorët ekonomik lënë për të dëshiruar”, deklaroi Musa Xhaferi, Këshilli Mbikëqyrës i BDI-së.

Zëdhënësi Bujar Osmani tha se sot nuk prite të ketë shkarkime të anëtarëve të ekzekutivit.

“Ka disa pika, një më duket është Rregullorja e punës së kryesisë, pastaj do të emërohen drejtuesit e sekretariateve të partisë, që janë trupat e ekspertëve të partisë dhe pastaj evaluimi i punës së funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar” u shpreh Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.

Konstituimi i organeve të partisë vjen dy javë pas themelimit të tyre me kërkesë të grupit të zjarrit. Përveç anëtarëve të ekzekutivit, në llogaridhënie janë ftuar edhe krerët e komunave./Alsat.mk