Serbët vendosin të largohen nga institucionet e Kosovës, policët serbë zhveshin uniformat
Përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të lënë detyrën. Kjo është vendosur në takimin e thirrur nga Lista Serbe mesditën e së shtunës në Zveçan.
Serbët përfaqësohen me një ministër në Qeverinë e Kosovës, dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës, me kryetarë komunash në ato qytete ku shumicë janë qytetarët serbë, si dhe në gjyqësor, polici. Të gjithë këta do të largohen nga institucionet e Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Dy eprorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun kanë zhveshur uniformën, si akt i parë i largimit nga institucionet.
Në këtë takim, u tha se ky vendim vlen deri në një njoftim, siç e quajtën ata, të arsyeshëm të Prishtinës për të respektuar marrëveshjet e Brukselit.