MaqedoniTop Lajme

Dizeli është liruar, prodhuesit paguajnë rrymë të lirë, por çmimet nuk ulen

Shpërndaje

Çmimi i dizelit dhe derivateve tjera në pompat e benzinës janë liruar për afër 30% nga niveli i përpara gjashtë muajve, por kjo nuk është pasqyruar në çmimet e produkteve me pakicë. Dizeli, i cili shfrytëzohet për transport dhe ka ndikim më të madh gjatë formimit të çmimeve me pakicë, në qershor ishte 110 denarë, ndërkaq sot 79,5 denarë për litër.

Plotësisht, prej 1 dhjetorit, prodhuesit e ushqimit paguajnë çmim më të lirë për rrymë elektrike, por tani për tani nuk plotësohen pritjet e Qeverisë për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore për të paktën 10%.

Edhe të dhënat e fundit zyrtare për shpenzimet e jetesës nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë se shtrenjtimi vazhdon, pavarësisht çmimeve të derivateve dhe energjensëve.

Në nëntor, krahasuar me tetor, çmime më të larta ka te mishi, peshku, qumështi, uji mineral, pijet e gazuara, lëngjet e frutave dhe perimet, gjiza dhe djathi, kafeja, çaji, vezët, sheqeri, xhemi, mjalti, çokollata, birra, buka dhe drithërat. Ulje të rrallë ka te frutat dhe vaji për ushqim.

Nëpër marketet e mëdha, çmimet e produkteve ushqimore mbeten në të njëjtin nivel, madje disa edhe janë shtrenjtuar.

Buka e bardhë e cila peshon 420 gramë kushton 40 denarë. Mishi i freskët i lopës 600 denarë për kg, mishi i viçit 800 denarë për kg, djathi prej 350 deri në 400 denarë për kg, kaçkavalli 500 denarë për kg, qumështi 80-90 denarë për litër.