Erdogan: Vitin e ardhshëm planifikojmë të rrisim prodhimin e naftës vendore në 100 mijë fuçi në ditë
Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi sot në Istanbul se vendi i tij vitin e ardhshëm planifikon të rrisë prodhimin vendor të naftës në 100 mijë fuçi në ditë, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan në Istanbul mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Inovalig Champions” në kuadër të Javës Turke të Inovacionit dhe me këtë rast foli për zhvillimet aktuale.
Një nga temat për të cilat Erdoğan foli ishin hapat që Türkiye ka ndërmarrë vitet e fundit në fushën e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes.
“Kemi rritur buxhetin e projekteve tona në fushën e industrisë së mbrojtjes nga 5.5 miliardë në mbi 75 miliardë dollarë”, tha Erdoğan duke theksuar se është rritur ndjeshëm edhe numri i kompanive turke që operojnë në këtë fushë.
“20 vjet më parë numri i kompanive tona në industrinë e mbrojtjes ishte 56. Sot në këtë sferë kemi më shumë se 1.600 kompani”, tha ai.
Erdoğan rikujtoi se dikur eksporti i Türkiye-s në industrinë e mbrojtjes ishte vetëm 248 milionë dollarë dhe tha se eksporti i njëjtë këtë vit me gjasë do të kalojë 4 miliardë dollarë.
Ai paralajmëroi një rritje të prodhimit të naftës vendore. “Vitin e ardhshëm planifikojmë të rrisim prodhimin vendor të naftës në 100 mijë fuçi në ditë”, tha Erodğan.
Sa i përket industrisë së automjeteve, në të ardhmen e afërt pritet prodhimi serik i automjetit turk Togg.
“Brenda disa muajsh, në dashtë Zoti, ne do të shohim Togg-un tonë në rrugë, që do të jetë krenaria e Türkiye-s dhe industrisë turke”, tha Erdoğan.
“Hap pas hapi ne po zgjidhim problemin e kostos së jetesës, i cili është burimi më i madh i problemeve për të gjithë botën, përfshirë Evropën dhe Amerikën. Ne do të vazhdojmë luftën tonë të vendosur derisa ta shohim Türkiye-n në mesin e 10 ekonomive kryesore të botës”, tha Erodğan.