Osmani në fjalimin vjetor: Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka mbajtur fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Këtë adresim të presidentes Osmani e bojkotuan dy parti opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, me arsyetimin se presidentja nuk përfaqëson unitet.
Pavarësisht kësaj, presidentja Vjosa Osmani, në fjalimin e saj, ia bëri të qartë presidentit serb Aleksandar Vuçiq se nuk mund të sjellë trupat serbe në Kosovë dhe theksoi se Kosova si asnjëherë më parë ka politikë të jashtme të fuqishme, shkruan “Zeri.info”.
Adresimi vjetor i presidentes Vjosa Osmani Sadriu në Kuvendin e Republikës së Kosovës:
I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Konjufca!
Të nderuar Zëvendëskryeministra,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Shumë të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës!
Të dashur qytetarë!
Po ju drejtohem sërish nga foltorja e këtij Kuvendi në prag të përmbylljes së një viti që ka qenë në të vërtetë një vit i rrethanave të jashtëzakonshme e rrjedhimisht, një vit i zhvillimeve sfiduese. Por, ajo që dua të bëj qysh në fillim të këtij adresimi është të falënderoj qytetarët e vendit tonë, bashkëqytetarët tanë, për punën e palodhur, qëndrueshmërinë e pashoq, dhe angazhimin e çdoditshëm që secila ditë të jetë më e mirë se tjetra.
ju, të gjithë, qytetarë të dashur, që e bëni këtë vend më të mirë. Është taksisti që punon përtej orarit për të mbajtur familjen e tij, është mësuesja e shkollës që me mjeshtëri edukon një gjeneratë të tërë dukë dhënë mësim në një klasë të stërmbushur; është infermierja që sakrifikon gjumin e natës për shëndetin tonë kolektiv; është pronarja e biznesit të vogël në një cep të lagjes që kryelartë zhvillon aktivitetin biznesor përkundër parametrave ekonomik që aktualisht nuk janë fort të favorshëm– është një mozaik kaq i larmishëm i individëve që realisht janë heronjtë tanë të përditshëm.
Janë njerëzit ata që i bëjnë shtetet e jo anasjelltas. Andaj, në këtë fundvit reflektojmë po ashtu mbi çdo sukses individual që përfundimisht rezultoi me suksesin tonë kolektiv. Puna juaj qytetarë të dashur, përkrah punës së institucioneve, ka kontribuar që Kosova jonë të fuqizohet e të konsolidohet gjithnjë e më shumë si përbrenda e po ashtu në rrafshin ndërkombëtar. Janë qytetarët tanë që gjithnjë e konfirmojnë se kur krijohen kushtet e duhura dhe garantohen platforma adekuate, suksesi është pothuajse çdo herë i sigurt. Këtë na e kanë dëshmuar me arritjet në sport, në art, në shkencë e kudo tjetër. Si e tillë, nga viti në vit, Kosova jonë me ju qytetarë të dashur dhe përmes jush fuqizohet gjithnjë e më shumë.
Këtë vit e kemi hapur Kosovën për botën përmes forumeve e ngjarjeve kulturore ndërkombëtare, si dhe kemi dërguar një copë Kosove anë e mbanë botës nëpërmjet artistëve, sportistëve, diplomatëve, shkencëtarëve, studentëve e afaristëve. Në secilin rast, ne i treguam botës që Kosova është vendi i rinisë, i ambicies së paepur e të shëndoshë. Ne dëshmuam se jemi vend i potencialit dhe një shtet partner paqedashës dhe i besueshëm.
Solidariteti, mirëkuptimi e përkrahja ndaj njëri tjetrit na ndihmoi të dalim të suksesshëm përgjatë sfidave historike, në rrugën tonë të gjatë e përplot sakrifica. Ëndrra jonë e përbashkët për një shtet ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë, po bëhet realitet çdo ditë. Por, sikur është e kuptueshme, ne nuk mund të ecim përpara nëse nuk e kujtojmë çdo ditë rrugën të cilën e kemi përshkuar deri këtu.
Prandaj, nga kjo foltore e tempullit të demokracisë, ju lus ta kthejmë vëmendjen në përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri, t’i kujtojmë brezat e tërë, bijtë e bijat të cilët nuk kursyen asgjë për ta bërë të mundur realizimin e synimit tonë historik: ëndrrën e lirisë e të pavarësisë.
Ta kujtojmë edhe sot, si çdo ditë tjetër, udhërrëfyesin tonë, atin themeltar të shtetit të Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, i cili e udhëhoqi Kosovën bazuar në postulatin “Liri, Pavarësi, Demokraci” drejt krijimit të aleancave të fuqishme të cilat edhe sot e kësaj dite janë strategjike e të domosdoshme për vendin tonë; ta kujtojmë simbolin e rezistencës së armatosur, komandantin legjendar Adem Jashari dhe gjithë ata bij e bija të cilët u rreshtuan përkrah tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë kështu më të shtrenjtën e tyre, jetën e tyre, në mënyrë që të agojë dita e lirisë. T’i kujtojmë të gjithë njerëzit tanë të cilët punuan e sakrifikuan shumë në mënyrë që liria jonë sot të përjetohet e të gëzohet nga secili e që pavarësia e sovraniteti ynë të jenë realitet i pakthyeshëm e i paprekshëm.
E, duke i kujtuar ata, të kujtojmë rrugën tonë të derikëtushme, vendosmërinë me të cilin ne dëshmuam se jo vetëm që dimë ta ëndërrojmë lirinë e shtetin, por edhe ta jetësojmë atë çdoditshëm.
Ta kthejmë edhe një herë, sikur përherë, po ashtu vëmendjen nga dhimbja për të zhdukurit me dhunë, për zbardhjen e fatit të të cilëve po punojmë pa pushim; për jetët e këputura të mbi njëmijë fëmijëve të vrarë gjatë luftës; për mijëra gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, të cilat u shndërruan në simbol të forcës, të qëndrueshmërisë e të betejës së pareshtur për drejtësi, për mijëra jetimët, për familjet e dëshmorëve, e për të gjithë ata që dhanë gjithçka për këtë vend, sepse vëmendja ndaj tyre nuk është asnjëherë e mjaftueshme.
Gjersa kthejmë kokën pas kah e kaluara në mënyrë që të jemi në gjendje të kuptojmë më mirë të tashmen, domosdoshmërisht do të na kujtohen sfidat dhe vuajtjet e përjetuara edhe së fundi si rezultat i pandemisë. Sapo besuam se po këndelleshim, ne u përballëm me një portë tjetër të dhimbjes njerëzore: luftën e tmerrshme të Rusisë kundër Ukrainës dhe, si rrjedhojë, edhe krizën globale ekonomike e atë energjetike.
Kjo luftë po dëshmon edhe njëherë se akomodimi i autokratëve dhe i atyre që kanë tendenca hegjemoniste asnjëherë nuk është rruga e duhur, sepse kjo vetëm se i inkurajon ata që të ushtrojnë më shumë dhunë e shkatërrim, më shumë tirani e hegjemoni.
Ukraina po e dëshmon sot, ashtu siç e dëshmoi Kosova në vitin 1999, se askush e asgjë nuk mund ta ndalë vullnetin e një populli për të jetuar i lirë. Idealet e lirisë e demokracisë ishin në rrezik atëherë e janë në rrezik edhe sot, por Kosova është shembulli më i mirë se çfarë mund të arrijë një popull i bashkuar rreth idealit të lirisë dhe çfarë mund të arrijë bota demokratike kur bashkohet rreth mbrojtjes së këtyre idealeve. Prandaj populli dhe shteti i Kosovës i ka qëndruar pranë Ukrainës pa asnjë ekuivokë, ndërkaq kemi miratuar sanksionet ndaj Rusisë pa asnjë hezitim të vetëm. Sepse të hezitosh në situata të tilla, do të thotë të bëhesh bashkëfajtor në krimet ndaj civilëve të pafajshëm. Nuk mund të ketë neutralitet mes të mirës e të keqes; mes agresorit e viktimës; mes paqes e gjenocidit. Në situata të tilla zgjedhja do duhej të ishte e qartë për të gjithë e Kosova ka zgjedhur gjithnjë të qëndroj në anën e drejtë të historisë.
Të nderuar qytetarë,
Përderisa këto sfida globale të sigurisë kanë krijuar edhe sfida të jashtëzakonshme në ekonomi dhe në sigurinë energjetike, t`i kujtojmë vështirësitë e çdoditshme me të cilat përballet qytetari ynë dhe të mendojmë nëse veprimi ynë politik ka qenë i mjaftueshëm për ta. Në situata të tilla të rënda, të gjithë duhet t`i tejkalojmë dallimet e përditshme e t’i bashkojmë forcat e mendjet në mënyrë që masat që ndërmerren të kenë në fokus vetëm e vetëm interesin qytetar në përballje me këto kriza.
Pavarësisht sfidave, ky vit solli konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejmë të shtetit, të institucioneve të tij, të gatishmërisë së tyre për t’u dalë zot kërkesave të qytetarëve. Bashkëvepruam brenda vendit, herë duke u pajtuar e herë duke pasur mendime të ndryshme për rrugën që duhet ndjekur, por të bashkuar në qëllimet, sikur që e fuqizuam peshën e shtetit në arenën ndërkombëtare.
Si presidente e shtetit, edhe përgjatë këtij viti jam kujdesur që përgjegjësitë e mia kushtetuese t’i ushtroj në interes të qytetarëve, si dhe konform aspiratave të cilat populli im i kërkon prej të parës së shtetit.
Nuk kam ngurruar dhe nuk do të ngurroj asnjëherë që idealin e brezave, të artikuluar politikisht nga Presidenti Rugova, ideator e arkitekt i shtetit modern të Kosovës, dhe të mbrojtur nga guximi i mijëra grave e burrave në uniformën e UÇK-së që u vunë në mbrojtje të këtij ideali e të vendit të tyre, ta artikuloj zëshëm, me fuqinë e argumenteve, përballë çdokujt e në çdo kohë. Shteti sovran e i pavarur, në të cilin secili qytetar ndihet i dinjitetshëm dhe mund t’i përmbush pritjet e t’i realizojë të drejtat e veta; shteti në të cilin liritë individuale e kolektive janë ta garantuara me kushtetutë e të mbrojtura me ligj; shteti në të cilin mbisundon liria e plotë e zgjedhjes; shteti në të cilin qytetari është i mbrojtur nëpërmjet institucioneve shtetërore – ky është ideali me të cilin jemi rritur e jemi formësuar politikisht andaj ky është ideali nga i cili nuk mund të heqim dorë, ngase prek në rrënjët e historisë sonë, të kulturës sonë politike dhe të së drejtës qytetare për të jetuar të lirë.
Në çdo ditë të këtij viti kemi këmbëngulur që shteti dhe ligji përfundimisht të mos u shërbejë vetëm disave, por të gjithëve. Sundimi i ligjit është esencial për funksionimin e çdo shtylle të shtetit. Në fakt është parakusht për një gjë të tillë. Por, siç e dini, të nderuar deputetë, veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e të cilat i shprehë nëpërmjet financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale. Por, ne jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit tonë. Bandat kriminale nuk do të mund të mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë edhe atyre në veri për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovë.
Natyrisht që bandave kriminale nuk iu pëlqen vendosmëria e institucioneve që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit, atyre nuk iu pëlqen as zbatimi i ligjit në tërë territorin e vendit. Por, mbi të gjitha, nuk iu pëlqen lufta e pakompromis ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Mirëpo le ta kenë të qartë, që kjo është rrugë nga e cila nuk devijojmë e nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë. Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe për frikësimin e kërcënimet që po ua bëjnë qytetarëve tanë.
Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim me përmasa agresioni së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiqi e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999. Në vitin 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste te Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i tyre.
Dua t’i falënderoj, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, policinë e Kosovës të cilët pavarësisht sfidave po kujdesen për jetën e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, si dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të sigurisë dhe inteligjencës për punën e tyre në mbrojtje të interesave të vendit. Puna e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit është edhe përpjekje për mbrojtjen e serbëve lokal nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale të cilat kanë për synim presionin, frikësimin dhe kërcënimin e tyre. Kosova është një dhe e tërë, atdhe i të gjithëve, pra edhe i qytetarëve të komunitetit serb, sikurse i të gjitha komuniteteve tjera, ndaj e kemi obligim kushtetues të kujdesemi për ta nga veriu në jug, nga lindja në perëndim të Kosovës.
Përkushtimi ynë i çdoditshëm është krijimi i një mjedisi ku zotëron paqja e stabiliteti. Por, përtej këtij përkushtimi, ne jemi në shtëpinë tonë, në vatrat tona shekullore dhe çdo ditë kontribuojmë për fqinjësi të mirë. Serbia duhet ta kuptoj qartë e përfundimisht se Kosova është shtet dhe i tillë do të mbetet përgjithmonë, se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se procesi i dialogut duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë si garancia e vetme për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
E pavarësisht sfidave, ju siguroj që sovraniteti i vendit tonë do të vazhdojë të mbesë i shenjtë e integriteti territorial i pacenueshëm. Pavarësia e shtetit tonë është ndërtuar me gjak, e shtëpia jonë, Republika e Kosovës, themelet i ka më të forta se sa mund të mendojnë disa. Në ato themele gjendet sakrifica e heronjve e dëshmorëve tanë, prandaj nuk ka kush qe i lëvizë e as kush që i shkundë.
Si trashëgimi të këtij heroizimi e kemi ushtrinë tonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku vajza e djem të vendit tonë me krenari mbajnë uniformën e shtetit të Kosovës dhe janë të gatshëm t’i dalin zot atdheut në çdo kohë.
Kjo forcë, e ndërtuar me standarde të NATO-s, çdo ditë po na bën krenar me të arriturat e saj. Rritja e buxhetit për ushtrinë tregon përkushtimin tonë të përbashkët për forcimin e saj të mëtejmë, ndërkaq orientimi ynë strategjik nuk ka se si të jetë më i qartë: Shteti i Kosovës e ka vendin në NATO e ushtria jonë do t’i shërbejë paqes e sigurisë në botë përkrahë ushtarëve të shteteve tjera anëtare të NATO-s.
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Gjatë vitit 2022 ashtu sikurse edhe në vitin paraprak, kemi investuar fort në zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe me shtete e organizata në një frymë bashkëpunimi, e respekti reciprok.
Politika jonë e jashtme po i shërben në tërësi interesave shtetërore dhe të qytetarëve të saj, bazuar në promovimin e vlerave euroatlantike, ndërtimin e partneriteteve me shtete nga kontinente të ndryshme dhe thellimin e aleancave me partnerët tanë tradicional strategjik.
Në kuadër të orientimeve strategjike të politikës se jashtme, si udhëheqëse e saj, kam punuar drejt forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë, avancimin e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike, promovimit të marrëdhënieve të mira me shtetet anekënd botës, si dhe promovimin e interesave ekonomike të vendit.
Gradualisht e me hapa të sigurt po lëvizim nga premtimet në vepra. Andaj këtë vit kemi ndërmarrë hapa konkret drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi në këtë institucion është moment kulminant i angazhimit të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dje, ndërkaq nënshkruam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili sot i dorëzohet Presidencës Çeke, të cilën dua ta shfrytëzoj rastin ta falënderoj për përkrahjen e jashtëzakonshme gjatë këtyre gjashtë muajve. Anëtarësimi në BE është objektiv i yni strategjik, prandaj aplikimi na sjellë një hap më afër realizimit të këtij synimi historik të popullit të Kosovës. Në këtë frymë, kemi filluar qe një kohë po ashtu diskutimet politike me aleatët tanë për përfshirjen e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si hap paraprijës formal i anëtarësimit në NATO.
Por, mbi të gjitha, gjatë këtij viti jemi kujdesur që t’i ruajmë e thellojmë miqësitë ekzistuese, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe, me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e me shumë e shumë shtete të tjera, ndaj kemi punuar për fuqizimin e partneritetit me to edhe në kontinente përtej Evropës. Natyrshëm, kemi fuqizuar çdo ditë edhe raportet tona vëllazërore me Shqipërinë, duke eliminuar barrierat e duke rritur numrin e marrëveshjeve që janë në dobi të qytetarëve tanë.
Duke synuar përfaqësim e prezencë gjithnjë e më të shtuar të Kosovës në arenën ndërkombëtare, vetëm gjatë këtij viti kam takuar 44 krerë të shteteve , shumë prej tyre nga dy-tre herë nga të gjitha kontinentet, 46 kryeministra, shumë prej tyre nga dy-tre herë, shumë kryetarë Parlamentesh, liderë të dikastereve të ndryshme, përfshirë këtu shumë udhëheqës të organizatave ndërkombëtare. Gjatë këtij viti janë realizuar 19 vizita bilaterale (si mysafir apo nikoqir), si dhe Kosova është përfaqësuar në forume e takime të shumta rajonale e ndërkombëtare.
Në çdo takim e çdo vizitë në fokus ishte fuqizimi i bashkëpunimit në dobi të zhvillimit të vazhdueshëm të shtetit tonë. Në mesin e këtyre takimeve, dua t`i potencoj po ashtu takimet me liderët e vendeve jo njohëse me të cilat gradualisht po ndërtojmë korniza të shëndosha të bashkëpunimit të bazuara në vlera të përbashkëta.
Që në fillim të Presidencës sime kam theksuar së pozita ndërkombëtare e Kosovës fuqizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së saj qoftë në nisma rajonale ashtu edhe multilaterale si palë e barabartë, vetëm si e barabartë me shtetet e tjera. Këtë vit, Kosova u ftua të jetë palë e barabartë në krijimin e Komunitetit Politik Evropian, që është nismë e Presidentit Macron e që bashkon 44 shtete të kontinentit tonë. Në Samitin e parë të këtij Komuniteti adresova sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe kërkova përkrahjen e partnerëve tanë në adresimin e tyre.
Në të gjitha samitet BE-Ballkan Perëndimor ku jam ftuar të përfaqësoj vendin, kishte një gjë të përbashkët në fokus: është përçuar mesazhi i qartë se Kosova meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se me reformat që po zbatojmë në sektorë të ndryshëm e me ndikimin gjeostrategjik të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, meritojmë të kemi proces të përshpejtuar të anëtarësimit. Në të gjitha këto samite, veprimet e Kosovës për përafrim me BE-në janë vlerësuar si shembullore, ndërkaq siç u dëshmua tani që po përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave, përkrahja për vendin tonë vetëm sa po rritet.
Por, këtë vit jemi siguruar po ashtu të konsolidojmë vendin e Kosovës edhe si nikoqire të nismave e forumeve ndërkombëtare që trajtojnë tema të rëndësisë së veçantë për ne dhe partnerët tanë. Në tetor të këtij viti, Kosova ishte nikoqire e edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në të cilin mbi 500 pjesëmarrës, nga pesë kontinente të ndryshme, dhe mbi 130 panelistë të ndryshëm, kanë ofruar pikëshikimin e tyre ndaj këtyre çështjeve. Forumi, përfundimisht, e ka vendosur Kosovën në hartën e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare të kësaj natyre. Por, mbi të gjitha, ka konfirmuar gatishmërinë tonë dhe kapacitetin për kontribut të vlefshëm e përmbajtësor drejt adresimit të sfidave të përbashkëta dhe avancimit të agjendave në interes të përbashkët.
Ashtu siç potencoi Sekretari Amerikan i Shtetit, z. Blinken kur iu adresua të pranishmëve në këtë forum: duke cituar Sekretaren Albright: “Lufta në Kosovë ishte një konfrontim midis vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, midis intolerancës së egër dhe respektimit të të drejtave të njeriut, midis tiranisë dhe demokracisë. Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja, ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës. Të nderuar deputetë, e gjithë kjo është e vërtetë sot dhe, përderisa e kujtojmë dhe i qëndrojmë besnik asaj, jemi të bindur se do të triumfojmë përsëri.
Në takimin që kishim në Washington D.C., Sekretari Blinken rikonformoi se partneriteti ynë mbetet i palëkundur, ndërkaq në bisedat që kisha me Presidentin Biden gjatë muajit shtator, ai përsëriti përkrahjen e madhe për vendin dhe për popullin tonë, e cila më së miri përshkruhet në vet fjalët e tij: Asnjëherë nuk do t’ju lëmë vetëm!
Kjo garanci amerikane, e përsëritur edhe këto ditë, dëshmon se Kosova nuk ka partner më të rëndësishëm sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj këtë aleancë duhet ta trajtojmë si të shenjtë e ta ruajmë e ta kultivojmë përjetësisht.
Të dashur qytetarë,
Pashmangshëm, politika jonë e jashtme këtë vit, ngjashëm si ajo e shteteve të tjera, është ndikuar nga konteksti ndërkombëtar, ndryshimet në ekonominë globale dhe kërcënimet hibride. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, mjedisi ndërkombëtar në të cilin veprojnë shtetet po bëhet më kompleks, më i paparashikueshëm dhe po i nënshtrohet ndryshimeve të pandalshme. Andaj një mjedis i sigurt rajonal dhe global kërkon bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet të gjitha shteteve pasi që problemet rajonale dhe globale kërkojnë zgjidhje të bazuar në partneritet dhe reciprocitet duke mos i harruar vlerat që na bashkojnë. Në këtë drejtim, Kosova ka qenë tërësisht në harmoni me vendimet e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian jo vetëm sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë por çdo vendimi tjetër të politikës së jashtme. Duke marrë për bazë këto zhvillime, tashmë është shndërruar në domosdoshmëri ndërtimi i kapaciteteve për siguri kibernetike, pasi që lufta hibride dhe kërcënimet jo-tradicionale të sigurisë vazhdojnë të sfidojnë shtetet anekënd globit.
Përfundimisht, Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më aktive, më kuptimplote, më të përgatitur e më të koordinuar. Natyrisht që, kjo politikë e jashtme e fokusuar në interesin e Kosovës dhe vetëm të Kosovës, e jo të interesave të ngushta individuale e shpeshherë të paligjshme, po u pengon disave, jo vetëm në Serbi por edhe jashtë saj. “Kosova nuk ka politikë të jashtme”, po thonë ca zëra. Natyrisht që Kosova ka politikë të jashtme. Në fakt, më në fund, Kosova ka politikë të jashtme. Por, po ju tregoj se çfarë nuk ka Kosova tani: Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë e me Rusinë me qëllim të interesave individuale, nuk ka udhëheqës që Kosovën e krahasojnë me Nagorno Karabakh e me Abkhazi e me Krime. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë!
Sfidat e politikës së jashtme natyrisht që janë të panumërta, sepse gabimet kanë qenë të përmasave të mëdha. Tani ne duhet t’i riparojmë këto dëme, hap pas hapi, me durim e me vizion të qartë.
Prandaj, së bashku po ndërtojmë një Kosovë partnere të denjë për nisma politike e për misione paqeruajtëse; e cila ndërvepron me vendet demokratike në fushën e politikës së jashtme e me vendet anëtare të NATO-s në çështjet e sigurisë globale; një Kosovë e cila është shndërruar në faktor të besueshëm për komunitetin ndërkombëtar që merr pjesë aktivisht në këto nisma dhe e bën të dukshme Kosovën gjithandej si partner kredibil. Madje, në nisma si Samiti për Demokraci i Presidentit Biden, Kosova është ndër performueset më të suksesshme dhe kampione në përmbushjen e zotimeve të marra.
Përfundimisht, politika jonë e jashtme sot është në shërbim të plotë e funksion të forcimit të shtetësisë sonë në arenën ndërkombëtare dhe konsolidim të Kosovës si faktor kyç i stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë e përtej.
Të nderuar deputetë!
Të dashur qytetarë të vendit tonë!
Mbrojtja dhe garantimi i të drejtave dhe lirive qytetare, krijimi i një ambienti të sigurt për të gjithë, si dhe luftimi i dukurive negative, është jetik për funksionimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike. Në përmbushjen e këtij synimi të përbashkët, jam përkushtuar duke e zgjeruar bashkëpunimin me institucionet tona në mënyrë që të garantojmë rend dhe ligj në të gjithë vendin.
E kur flasim për të drejtat e njeriut, dua të ndalem në veçanti të falas tek aktet mizore të femicidit.
Fatkeqësisht, paralelisht me pandeminë Covid19, mori hov edhe një pandemi nën hije – pandemia e dhunës ndaj grave.
Ky fenomen tashmë duhet të shihet nga prizmi i një emergjence kombëtare dhe, si i tillë, ai përbën një prej plagëve më serioze e një prej sfidave më komplekse të ditëve tona.
• Vetëm në 5 vitet e fundit, në Kosovën tonë u shënuan mbi 14 mijë raste të dhunës në familje, nga të cilat në shumicën dërmuese, viktimat ishin vajzat e gratë
• Në vendin tonë, sipas të dhënave të organizatave për mbrojtjen e grave, nga viti 2010, 50 gra u bënë viktima të femicidit. 50 gra janë vrarë nga burrat. 50 gra nuk janë më me ne, vetëm e vetëm pse ato ishin gra!
Këta numra nuk janë thjesht statistika sepse nuk e tregojnë historinë e plotë të këtyre grave. Çdo numër është një jetë; është sinonim i dhimbjes, i pasigurisë, pashpresës, zhgënjimit e dëshpërimit. Çdo numër duhet të na shërbej si kambanë e alarmit që mban të zgjuar ndërgjegjen tonë dhe i jep shtytje të hovshme veprimit e aktivizmit tonë të përbashkët.
Por, më i dhimbshëm akoma është fakti se në shumë raste dhuna vazhdon të frymojë në heshtje. Ka kaq shumë dhunë të paraportuar; ka kaq shumë zëra ende të pafuqizuar; ka kaq shumë dhimbje që mbetet e ngujuar brenda mureve e çative.
Ta kuptojmë përfundimisht se grave e vajzave tona nuk është se u mungon zëri. Por, është puna jonë që t’i fuqizojmë vazhdimisht për ta përdorur atë. Grave e vajzave tona nuk u mungon guximi. Por, është përgjegjësi e jona për t’u krijuar platformat e duhura që u garantojnë atyre siguri e barazi – në shtëpi, në punë, në rrugë, brenda për brenda komunitetit, në qasje në trashëgimi e në drejtësi.
Përballë dhunës nuk duhet të jemi të heshtur; përballë padrejtësive duhet të fuqizojmë edhe më tej rendin dhe ligjin; përballë diskriminimit do t’i japim hov së bashku dinjitetit e integritetit; e pabarazitë gjinore do t’i luftojmë përmes integrimit, edukimit, komunikimit e bashkëpunimit.
Ne nuk kemi vajza e gra për të humbur. Asnjë më shumë. Andaj, nga diskursi dominant që ne jemi shoqëri e vlerave, është momenti final të fillojmë të zbërthejmë deri në bosht çdo koncept e normë shoqërore historikisht e padrejtësisht të konstruktuar e të promovuar nga patriarkati. Sepse, për vlera mund të diskutohet vetëm e vetëm atëherë kur ka barazi, integritet e dinjitet.
E këtë do ta arrijmë atëherë kur do të ketë drejtësi. Por, trendët në sistemin tonë të drejtësisë janë shqetësues. Vetëm në periudhën 2016 – 2019, sipas organizatave vendore mesatarisht rreth 2/3 e rasteve janë parashkruar. 2/3 e rasteve e dhunës ndaj grave janë parashkruar! Në anën tjetër, një statistikë edhe më shqetësuese ka të bëjë me dhunimet seksuale. Sipas të dhënave të publikuara nga EULEX-i, KGJK-ja ka raportuar se 173 raste të dhunimeve seksuale që kanë arritur në gjykatat themelore në periudhën 2019-2021. Nga këto 173 raste, 76 janë përfunduar dhe në 38 raste janë aktgjykime dënuese, ndërsa në 38 rastet tjera, gjykatat kanë nxjerrë aktgjykime lirues, refuzues ose lëndët janë parashkruar. Nga të gjitha rastet dënuese, vetëm në tetë aktgjykimet, vetëm në tetë, kohëzgjatja e dënimit ishte në përputhje me ligjin. Vetëm në 8 raste deri tani, nga 173 lëndë, 8 nga 173, pra përafërsisht vetëm 5% të lëndëve dënimi ishte në përputhje me ligjin. Pothuajse në të gjitha rastet janë marrë parasysh të ashtuquajturat rrethanat lehtësuese, ndërsa në pak raste janë marrë parasysh rrethanat rënduese.
Po e them para jush atë që e kam thënë para institucioneve të drejtësisë në javën për mbrojtjen e të drejtave të viktimave: Një qasje e tillë e sistemit të drejtësisë inkurajon vrasjen e grave. Një qasje e tillë inkurajon më shumë dhunë. Prandaj të kërkojmë njëzëri e me vendosmëri që autorët urgjentisht të përballen me fuqinë e ligjit.
Të nderuar qytetarë,
Vitin e fundit, Republika e Kosovës është renditur më lart në indekse e raporte ndërkombëtare sa i përket reformave në fushën e sundimit të ligjit. Por ky fakt pozitiv nuk duhet të na krijojë vetëkënaqësi. Përkundrazi, forcimi i sistemit të drejtësisë vazhdon të mbetet ndër sfidat kryesore të Republikës së Kosovës.
Nevoja për reformë dhe forcim të sistemit të drejtësisë nuk duhet të na vijë ndërmend vetëm kur kriminelë recidivist që shëtisin të lirë kryejnë edhe një krim makabër, sepse sistemi ynë i drejtësisë në të kaluarën i ka dënuar ata me dënimet më të lehta të mundshme madje edhe me dënime që nuk parashihen me ligj. Nuk mjafton po ashtu të reagohet vetëm kur shohim grupe kriminale të pandjekura penalisht dhe të pandëshkuara nga sistemi ynë i drejtësisë, që sfidojnë dhunshëm dhe haptazi rendin tonë kushtetues, sidomos në komunat veriore të Republikës sonë.
Përkrahja e sistemit të drejtësisë bëhet vetëm duke e forcuar atë, me njerëz me integritet e profesionalizëm, që drejtësinë e kanë edhe ideal, edhe ideal jo vetëm profesion.
Në sistemin tonë të drejtësisë nuk duhet të ketë vend për ata që e shfrytëzojnë atë si një trampolinë për t’u pasuruar dhe e shndërrojnë shantazhin në mjet për arritjen e qëllimeve e interesave të ngushta. Pavarësia dhe integriteti i sistemit të drejtësisë është parim themelor për funksionimin efektiv të tij. Por, pavarësia nuk nënkupton vetëm privilegj, çfarëdo qoftë ai, por edhe përgjegjësi e llogaridhënie. Mbi të gjitha nuk mund të ketë pavarësi ndaj kushtetutës e ndaj ligjeve. Përgjegjësia dhe llogaridhënia vlejnë për të tri shtyllat e pushtetit dhe kjo është garancia e pazëvendësueshme për një demokraci të qëndrueshme.
Ndër aspektet themelore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut është edhe mbrojtja gjyqësore e këtyre të drejtave. Kjo nuk mund të bëhet pa një sistem të drejtësisë të pavarur, profesional e që themel kryesor e ka integritetin. Prandaj ka vite që vetingun në drejtësi e shoh jo vetëm si ndihmesë në këtë drejtim por si domosdoshmëri dhe dua t’i bëj thirrje këtij Kuvendi që ta trajtojë këtë çështje si urgjente dhe sa më parë të jetë e mundur të përmbyllë punën e vet dhe të dalë përpara me një pako finale e cila nuk do të jetë një veting veç sa për sy e faqe, por veting i vërtetë që i përfshinë të gjitha shtyllat e rëndësishme e në veçanti atë të integritetit.
Të dashur qytetarë,
Në rolin e Presidentes së Republikës, në çdo hap, në çdo vendim e çdo qëndrim ishte besimi juaj të dashur qytetarë, besimi juaj që më ka shërbyer si busull për orientim, sepse jam e bindur se vullneti i qytetarëve na mban përherë me këmbë në tokë e gjithnjë në rrugë të drejtë.
Kur themelet janë të forta – e themeli më i fortë ka qenë dhe mbetet përherë besimi juaj – çdo tendencë e jashtme për të shkaktuar devijim nga rruga e drejtë rezulton me mossukses.
Në këtë rrugëtim nuk do të ketë asnjëherë veprime e vendime qëllimkëqija, sepse qëllimi im kryesor është që të mund t’ju shoh në sy në fund të çdo dite e çdo viti për aq sa jam në shërbimin tuaj dhe të gjej mirëkuptimin, besimin e shtuar dhe konfirmimin se ju kam shërbyer të gjithë qytetarëve me dinjitet e integritet.
nuk do të zmbrapsem asnjëherë para akuzave sa të turpshme aq edhe qesharake që i dëgjojmë çdo ditë e të cilat dirigjohen nga interesat e ‘klaneve anti-Kosovë’. Nuk zmbrapsem as atëherë kur tentojnë të më ngjyrosin me epitete te çdollojshme që sulmojnë pamjen time apo integritetin tim, sepse të parat janë thelbësisht të parëndësishme e sa i përket vlerësimit për integritetin e dinjitetin, të dashur qytetarë, sytë i mbaj përherë vetëm nga ju. E përfundimisht, nuk do të zmbrapsem as përpara seksizmit, seksizmit të paprecedent e tendencave për të minimizuar rolin e Zyrës së Presidentes vetëm e vetëm pse në krye të saj është një grua, e në Republikën tonë askush nuk e ka të drejtën e assesi nuk do t’ia dalë,për këtë ju siguroj, për të na heshtur apo frikësuar. Çdo vajzë e grua e vendit tim është po aq e aftë e meritore për të qenë në çdo detyrë apo funksion sa edhe çdo djalë e çdo burrë.
Në rrugëtimin tim përpara, ashtu sikurse edhe deri më tash, do të punoj duke respektuar vullnetin qytetar, frymën kushtetuese mbi të cilën është ndërtuar ky vend, si dhe sakrificën e idealin e atyre që vunë themelet e shtetit tonë.
Ky vit po aq sa ishte vit i mundësive, do të kujtohet edhe si vit i sfidave. Gjersa shkojmë drejt vitit të ri, e kemi të qartë se pasojat e krizave aktuale do të vazhdojnë të jenë në mesin tonë.
Por, si popull ne shquhemi për rezistencë e për qëndrueshmëri, për ambicie dhe energji të pakufishme, prandaj së bashku do t`ia dalim. Ne kemi triumfuar edhe në periudhat më të vështira të historisë sonë. Ky unitet është tani më i nevojshëm se kurrë përballë agresionit të vazhdueshëm që vjen nga Serbia dhe Rusia.
Me qëllim të mbrojtjes së pakompromis të interesave tona, do të punoj fort që koordinimi ndërinstitucional të jetë çdo herë në qendër dhe në shërbim të interesit kombëtar. Andaj, dera ime është gjithmonë e hapur dhe dora do të jetë përherë e shtrirë ndaj të gjithë atyre që besojnë e veprojnë në frymën e njëjtë. E në po këtë frymë, si udhëheqëse e politikës së jashtme dhe komandante supreme e ushtrisë sonë, do të vazhdoj t’i forcoj e zgjeroj partneritetet tona në çdo cep të botës duke garantuar paqen, sigurinë, sovranitetin, kushtetutshmërinë e integritetin territorial të Republikës sonë.
Të dashur qytetarë,
Gjersa e përmbyllim së bashku kapitullin e vitit 2022, rikujtojmë se në Vitin e Ri ne do të shënojmë edhe 15 vjetorin e Republikës sonë të pavarur dhe sovrane. Uroj që ky përvjetor jubilar, ashtu edhe siç e do rendi, të jetë përvjetor i festës, i haresë dhe i gëzimit për të arriturat tona të përbashkëta dhe rikonfirmim i përkushtimit tonë të patjetërsueshëm për konsolidim të vazhdueshëm si vend me të drejta të barabarta në strukturat euroatlantike.
Si një shtet i ri, sfidat i kemi të pashmangshme, por njëkohësisht edhe mundësitë të panumërta. Gjersa punojmë për të ardhmen tonë euroatlantike, fokusi ynë mbetet gjithnjë i qartë: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i inkuadruar në Bashkimin Evropian e në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thoshte themeltari i shtetit tonë, Presidenti Ibrahim Rugova. Dhe kështu do të mbetet përgjithmonë.
Qofshin ditët e këtij viti të bekuara e në prag të Vitit të Ri, uroj të triumfoj shëndeti, mirësia e mbarësia në çdo cep e nën çdo çati!
Ju faleminderit shumë!
Lajmi nga Presidenca: Adresimi vjetor i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu në Kuvendin e Republikës së Kosovës