RajoniTop Lajme

Rama: Kosova nuk do të jetë kurrë më nën regjimin e Beogradit

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit tradicional të fundvitit me diplomatët ka zgjedhur të flasë për situatën e krijuar mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama theksoi se Kosova është çliruar nga Beogradi dhe nuk do të jetë kurrë nën regjimin e tij.

“E gjitha kjo është tejet larg asaj për të cilën kemi nevojë. Kemi hyrë në dekadën e tretë qysh kur Kosova u lirua një herë e përgjithmonë nga Beogradi. Ajo nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit”.

Për kryeministrin shqiptar, kërkesa e Serbisë drejtuar NATO-s për të dërguar trupa në Veri të Kosovës, është aq sureale sikur “Kosova t’i kërkonte NATO-s të dërgonte trupa shqiptare në Serbi”.

Numri një i Qeverisë i ka cilësuar këto deklarata joserioze dhe “shashka” të retorikës personale politike.

Rama ka ravijëzuar se veprimet e duhura në këto momente janë: dialogu, dialogu dhe dialogu.

Dhe pjesa tjetër është thjeshtë politikë e keqe.

“E di më së miri se është më e lehtë ta thuash se ta bësh një gjë të tillë, por çdo rrugë e shkurtër që merret përtej dialogut të vështirë, madje të dhimbshëm midis Serbisë dhe Kosovës, jo vetëm për ato të dyja, po për të gjithë rajonin, shpie në një territor shumë të rrezikshëm”.

Kryeministri u shpreh se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të mësojnë shpejt të jetojmë me njëri-tjetrin, të punojnë me njëri-tjetrin, të ndihmojnë njëri-tjetrin.

Sipas Ramës, shtete duhet ta mbajnë murtajën e luftës ruse larg këtij rajoni dhe ndërkohë që “do të mbetemi gjithnjë, me vendosmëri, krah Republikës së Kosovës çdo herë që e drejta e saj sovrane për t’u qeverisur nga autoritetet e veta do vihet në pikëpyetje në çfarëdolloj forme”.