Snopce: Ligji për të punësuarit në sektorin publik antikushtetues, diskriminon shqiptarët në organet e mbrojtjes dhe sigurisë
Fjalimi i deputetit të ASH-së, z.Halil Snopçe:
Ligji për të punësuarit në sektorin publik antikushtetues, diskriminon shqiptarët në organet e mbrojtjes dhe sigurisë
Normalisht që nuk jam i kënaqur me përgjigjen, sepse si çdo herë përsëri kemi fjalë dhe sqarime të kota dhe zhvendosje nga esenca e pyetjes së parashtruar.
Në përgjigjen e tij, ministri i referohet nenit 8 paragrafi 2 të kushtetutës për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ndërsa pyetja kishte të bënte lidhur me nenin 3 paragrafi 3, i cili në mënyrë flagrante shkel parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Ky nen i ligjit për të punësuarit në sektorin publik, në mënyrë eksplicite e përjashton parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke kufizuar veprimin juridik të këtij parimi në institucionet më të rëndësishme të sigurisë dhe mbrojtjes, siç janë:
Armata e Republikës së Maqedonisë;
Ministria e Mbrojtjes;
Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet e administratës shtetërore në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përfshirë Byronë për Siguri Publike;
Agjencia për Siguri Nacionale;
Аgjencia e Inteligjencës;
Drejtoria e Policisë Financiare.
Në vend që të tregoni se çfarë masash konkrete keni ndërmarrë, respektivisht pse nuk keni ndërmarrë asnjë masë për të siguruar se Ligji për të punësuarit në sektorin publik, konkretisht sa i përket nenit 3, paragrafi 3, të jetë në përputhje me parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, parim ky i garantuar me nenin 8, paragrafi 2, të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me pikën 4 të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit. Në vend të kësaj, ju po përmendni kërkesat specifike të shërbimit policor që kanë të bëjnë me kriteret mjekësore, psikologjike dhe fizike. Si minister, është e patolerueshme dhe e pamoralshme t’i përmendni këto argumente që secili e di që nuk kanë të bëjnë me të vërtetën.
Ju nuk po përgjegjeni se si e arsyetoni faktin që në vitin 2022, Ligji për të punësuarit në sektorin publik, neni 3 paragrafi 3, ende vazhdon në mënyrë eksplicite të shkel parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë. Ju, si minister, në asnjë mënyrë nuk duhet të vazhdoni të toleroni që një ligj në fushën e përgjegjësisë suaj të shkel kushtetutën.
Pra, ju si ministër duhet të ndërmerrni masa për të amandamentuar këtë ligj për ta bërë në përputhje me kushtetutën.
Këto institucione ku punojnë mbi 19.000 zyrtarë, kryesisht maqedonë, përjashtohen me ligj nga parimi kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Pra ligji shkel me dy këmbë kushtetutën dhe fyen një popull të tërë.
Është tallje totale me shqiptarët të thuhet se nuk dinë, not për shembull, dhe prandaj nuk mund të përfshihen në njësinë “Tigrat”.